Gjendjen e alarmit kanë aktivizuar autoritetet e menaxhimit dhe parandalimit të fatkeqësive në republikën ruse të Yakutia-s në verilindje të Siberisë, menjëherë pasi temperaturat zbritën poshtë 60 gradëve.

Kështu informojnë këtë të hënë autoritetet rajonale.

Vendimi për ‘alarm’ u mor në një takim të komitetit të qeverisjes për menaxhimin dhe parandalimin e fatkeqësive dhe për mbrojtjen kundër zjarreve në rajonin më të madh rus, raporton ‘Sputnik’.

Qëllimi i alarmimit mbi situatën është garantimi i sigurisë së popullatës në territorin e republikës së Sajës (Yakutia) gjatë uljeve të mëdha të temperaturave.

Sipas autoriteteve meteorologjike rajonale, këtë të hënë, temperaturat zbritën në disa rajone poshtë 50 gradëve:

Minus  62 në Oymyakon, minus 55 në Deputatski, minus 54 në Ust-Nera, minus 55 në Batagái dhe minus 56 në Verjoyansk.

Në kryeqytetin Yakutsk i ftohti gjendet në shifrat -39.

Agjencia ruse shpjegon se autoritetet kanë frikë se i ftohti ekstrem mund të provokojë dëme në infrastrukturën publike dhe energjetike, të rrisë numrin e zjarreve në banesa, të shkaktojë aksidente trafiku dhe të vështirësojë funksionimin e aeroportit nga dëbora.

Veritas.com.al/