
Bulevardi “Saint Michel” ku kolosi i letrave shqipe Ismail Kadare jetoi dhe shkroi disa prej veprave të tij në Paris do të mbajë një pllakë përkujtimore me ‘Ismail Kadare’.
Këshilli bashkiak i kryeqytetit të Francës miratoi njëzëri vendimin historik për të ndëruar shkrimtarin shqiptar.
Ambasada e Shqipërisë në Francë e cila ndau lajmin një rrjetet sociale e cilësoi këtë si një akt nderimi jo vetëm për Kadarenë, por për mbarë kulturën shqiptare.
“Këshilli Bashkiak i Parisit i bëri një homazh të gjallë dhe emocionues kolosit të letrave shqipe Ismail Kadare dhe, nëpërmjet tij, njëkohësisht edhe Shqipërisë dhe kulturës shqiptare, teksa votoi sonte në mbrëmje, me unanimitet, për vendosjen e pllakës me emrin dhe në nderim të Ismail Kadaresë, në adresën 63 boulevard Saint-Michel në Paris, vendi ku ai dhe familja e tij jetuan për shumë vite dhe ku autori shkroi disa nga faqet më të bukura të letërsisë së tij. Faleminderit Parisit, faleminderit Francës.”
Ismail Kadare u nda nga jeta më 1 korrik 2024, në moshën 88-vjeçare. Kadare konsiderohet si një nga autorët më të mëdhenj të letërsisë bashkëkohore evropiane dhe figura më e shquar e letërsisë shqiptare të shekullit XX.
Ndër veprat e tij më të njohura përfshihen Gjenerali i ushtrisë së vdekur, Kronikë në gur, Prilli i thyer, Pallati i ëndrrave, Koncert në fund të Dimrit.
Krijimtaria e Kadaresë është përkthyer në dhjetëra gjuhë dhe është vlerësuar me shumë çmime ndërkombëtare.
Komente