SHQIPËRI- Ngadalësojnë çmimet e konsumit në vend. Sipas të dhënave të Instat, Inflacioni në vend ka pësuar një ulje të lehtë përgjatë muajit nëntor duke zbritur në 2.1% nga 2.3 % që ishte një muaj më parë.
Por, pavarësisht kësaj statistikat evidentojnë një shtrenjtim të të çmimeve të qirave në vend. Sipas Instat, qiratë u shtrenjtuan me 0.81% në tetor, ndërsa në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë rritja ishte edhe më e fortë.
Të larta kanë rezultuar edhe çmimet e artikujve ushqimore, aty ku shqiptarët shpenzojnë edhe pjesën më të madhe të buxheteve familjare. Në nëntor, çmimet e ushqimeve dhe pijeve dhanë një kontribut me 0.55% në ecurinë e inflacionit.
Brenda grupit të ushqimeve, rritja më e madhe u vërejt nën nëngrupet e vajrave e yndyrnave si dhe në ato të bulmetit e produkteve të mishit.
Më shtrenjtë kushtuan edhe arredimi e mobilimi i shtëpive, komunikimi si dhe transporti. Edhe çmimet e shërbimeve u rritën më tej përgjatë muajit të kaluar pasi grupi i hoteleve, bareve e restoranteve pati një ndikim me 0.21% në inflacion.
Ndërsa jemi në prag të festave tëfundvitit, inflacioni pritet të ketë një rritje siç ndodh tradicionalisht këtë periudhë. Pasi për shkak të konsumit të lartët tregtrët rrisin çmimet e produkteve.
Megjithatë, pavarësisht luhatjeve, inflacioni vijon të qëndrojë poshtë objektivit të Bankës së Shqipërisë prej 3%.
Nisur nga kjo por edhe ecuria e përgjithshme e ekonomisë, institucioni vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit në mbledhjen e fundit. në vlerësimet e bankës qendrore, inflacioni pritet të kthehet në objektiv në pjesën e parë të vitit të ardhshëm.
Banka Qendrore ka paralajmëruar se vendimmarrja për politikën monetare do të varet nga ecuria e treguesve në muajt në vijim.
Komente