Nga: Veritas.com.al/
Ata ndoshta kanë menduar se duke mos dhënë asnjë leje që të burgosurit të festojnë se bashku me familjarët, në këtë mënyrë kanë krijuar siguri për të gjithë ata që akoma nuk janë në burg… Madje vetë drejtori i burgjeve, Arben Çuko, ka deklaruar pikërisht këtë si motiv pse ka urdhëruar që asnjë i burgosur të mos marrë leje për të vizituar familjarët në festat e fundit të vitit.
Drejtori i përgjithshëm ka urdhëruar të gjithë drejtorët poshtë shkallës së tij që të anulojnë edhe lejet e akorduara. Motivi është formuluar kështu: “Për të rritur nivelin e sigurisë në vend”.
Sipas këtij arsyetimi duket se edhe vetë pjesëtarët e familjes ndihen të rrezikuar nga familjari i tyre i burgosur. Duket se familja me njerëz ka krijuar edhe ‘tigër’ që burgu e ka mbyllur me qëllim që edhe familjarët të mos rrezikohen. A nuk duket një absurd?!
Shumica absolute e familjarëve të të burgosurve mendojnë se djali a vajza a burri i tyre është burgosur ‘pa faj’, ose të paktën me më pak faj se sa është akuzuar. Që ditën kur i burgosuri është vënën nën prangat e Policisë, dikush në familje ka nisur ta quajë ‘engjëll’, në vend të kësaj që mendojnë këta se ata janë ‘tigra’. Nuk e di nëse drejtoritë e burgjeve të Shqipërisë dëgjojnë psikologë, a dëgjojnë mjekë, a dëgjojnë prindër?! Po të dëgjojnë, me siguri do të arrijnë në kuptimin e marrëdhënies së familjarëve me të burgosurin që është thuajse marrëdhënia e të lirit me të izoluarin, marrëdhënia e njeriut me të dobëtin.
Po zemëratën e të burgosurve që u ishte akorduar amnistia dhe ua ndaluan, a e marrin në konsideratë këta? Nëse njëqind të amnistuar do të shkonin në familjet e tyre për festa, këta do të merrnin stimuj veç pozitiv. Ndërsa tani nuk dihet sa shumë shtohet egërsia e tyre.
Po vallë, vetë personeli i burgjeve, i konsideron burgjet si varre apo si qendra edukimi? Nëse është qendër edukimi do të thotë se një ditë ata dëshmojnë se kanë edukuar edhe njerëz që kanë vepruar kundër ligjit; dhe këtyre u jep leje për në ditën e fundit të vitit.
Po parametrat botërorë të burgimeve, vallë i konsiderojnë këta? Burgu nuk lindi sot, por që në kohë të lashta, madje që në ditën e parë të lindjes së elementëve të shtetit. I pari që foli për masa ndëshkimi ishte dijetari i famshëm grek Platon. Që atëherë, pa pushim, janë aplikuar edhe masa stimuluese për përmirësimin e sjelljes njerëzore të të burgosurve në drejtim të ligjit…
Masat e papritura shtrënguese të administratës së burgjeve ndaj të të burgosurve, dëshmojnë se këta kanë frikë… Frikë, nga kush? Nga të burgosurit që meritojnë një amnisti të vogël? Po ata nuk janë bisha. Madje po të sillesh si ndaj bishës, atëherë të lirët do të ndjehen më të rrezikuar…
Apo kanë frikë nga hija e tyre? Nëse një nga të burgosurit nuk do të kthehej në burg, e çfarë pastaj?… Shteti, pikërisht për këtë është i fortë, më i fortë se individi, i paguar nga taksa dhe burime të tjera, i armatosur, i shumicës… Të kapet një i burgosur i amnistuar nuk është asgjë e madhe. Edhe vetë bota është e vogël, tashme…
Zyrtarët frikësohen nga pozitat e tyre, një i burgosur i lirë rrezikon karrigen e drejtorit… Kjo është.
Veritas.com.al/