Frrok Çupi/

Ndoshta nuk e keni vënë re se si lindi (lindi ajo që ‘gia’ ishte në jetën e shteteve seriozë), një pemë e re e shtetit.

Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në rrugën për ‘dhënien’ e kufijve detarë shtetit fqinj Greqi, thërriti në konsultim të gjithë presidentët e Republikës, duke filluar nga presidenti i parë i Republikës, Dr. Prof. Sali Berisha. Ka dy ditë që presidentët po konsultohen si të bëjnë me një ‘lajthitje’ të qeverisë që thotë se është lajthitje edhe e BE, për dhënien e territoreve të veta një shteti fqinj.

Nuk mund të them se si do të zgjidhet çështja e kufirit; edhe mund ta humbim ose mund ta fitojmë, sepse në kohë perversësh jetojmë… Në fund të fundit kemi fituar një institucion të ri: Fronin e Presidentëve.

Deri më sot, presidentët , sapo lanë pushtetin, u bënë ‘zero’. As në kafe nuk iu flet njeri. Pse? Sepse presidenti që vjen pas, i bën ‘zhele’. Media dhe kafexhinjtë në Shqipëri, të gjithë presidentët e Republikës i quajnë ‘ish- president’. Është fjalori më denigrues e diletant për postin. Por jo vetëm fjalor; ‘ish’ do të thotë ‘minus zero’. Jo vetëm në këtë post, por edhe shumë poshtë tyre, kështu quhen ‘një ish…”. Edhe kryeplaku i fshatit pasi lë postin nuk i serviloset njeri; madje as kryetarit të familjes pasi nuk merr rrogë të madhe… Ka vdekur hierarkia e shoqërisë dhe e familjes që në vitin 1967 kur u krye ‘revolucioni Maoist’.

Deri sa na ra ky ‘mort’, nuk i pamë presidentët; sapo iu mbaruan ditët e postit- iu mbaroi edhe ‘nafaka’. Kush i zëvendësoi?… Kjo është pyetja kryesore. Presidentët u zëvendësuan nga ‘poste’ jashtë- kushtetuese; gangsterë ministra, hajdutë që nuk japin llogari, policë të lidhur me banda, kriminelë të lidhur me shtetin, arrogantë të kthyer në të shkuarën më të keqe… Ju mund të thoni ‘A vallë presidentët do të na shpëtojnë?’. Presidentët krijojnë idenë e trashëgimisë në shtet. Nëse është luhatur besimi se shqiptarët ‘bëjnë shtet’, kjo ka ndodhur edhe për shkak të mungesës së konservatorizmit dhe trashëgimisë. Çfarë konservojmë në shtet?… Vijnë dy ambasadorë nga jashtë dhe rrëzojnë kushtetutën e shtetit; ne heshtim sepse jemi mësuar të rrëzohemi. Kur u rrëzua kryetari i familjes në vitin 1967, nuk kishte si të mos rrëzohej shteti  sa herë t’i duhej dikujt. Kryetari i familjes u zëvendësua nga ‘nusja sekretare rinie’; dhe në këtë rast- nga ‘nuset’ hermafroditë të adminsitratës publike… Ndërtimi i ‘Fronit’ të presidentëve mund të na çojë më shpejt në Europën konservatore se sa madhësia e domateve ose cilësia e gomerëve.

Froni i presidentëve nuk është një ‘honor’ për këta; mes tyre ka nga ata që as në dasëm nuk i thërret kush  sa për mençurinë. Por i kemi pranuar në një moment. Duhet t’i qëndrojmë ‘besës’ sonë ndaj vetes. Vetë Bibla na ka udhëzuar ndaj Pranimit; jemi të pranuar dhe duhet të pranojmë. Bibla nuk ‘pranoi’ ashtu kot e si ‘për qejf’. Në historinë  tonë kombëtare, thuajse biblike, kemi mbijetuar për shkak të ‘Kodit’ dhe ‘Konstitucionit’. Në vitin 1913, Esad Pashë Toptani- njeriu ynë në gjen, i dashuruar me madama franceze, do ta kishte shitur atdheun tonë. Nuk do ta ndalte dot asnjë administrator, asnjë ministër, veçse e ndaloi autoriteti i atdheut dhe i burrave të kombit. Kësaj here  nëpunësit politik kanë marrë përsipër të japin territore, të rrahin burra e gra akademikë, të pederastojnë me artistë, të zhdukin çdo frymë kombëtare e familjare; dhe.., pse? Sepse duke shitur gjithçka nga vlera e shtetit, administratorët perversë mund të zgjasin pa fund jetën e tyre në pushtet.

Mirëpo nesër…, domethënë pas dhjetë vjetësh, pas njëqind e pas njëmijë…, kush mund t’i thërrasë nëpunësit për të kthyer vlerat që na kanë grabitur? Ata nuk do të jenë, sepse edhe sot janë hije. Kurrë nuk janë këta…

Froni i presidentëve është bazë shteti.

Veritas.com.al/