Në të gjithë kryeqytetin por jo vetëm, ka nisur puna për lirimin e hapësirave publike të zaptuara ndër vite nga biznese të ndryshme.

Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha, së bashku me drejtuesit e IMT-së, Policisë Bashkiake, si dhe policia e Shtetit, ishin në disa zona kyçe në kryeqytet, për të ndjekur aksionin e lirimit të hapësirave publike, si tek Bulevardi “Zogu i Parë”, Pazari i Ri, zona pas Muzeut Kombëtar dhe një kompleks pranë zonës së njohur si ’21 Dhjetori’.

” Apeli im shkon për çdo subjekt në shkelje, që të lirojë shpejt e vullnetarisht hapësirat e zëna, duke kontribuar për një qytet më të pastër, më të sigurt dhe të aksesueshëm nga të gjithë”, tha ministri Hoxha.

Reagimet e para pozitive nga vetë subjektet nuk kanë munguar. Shumë biznese kanë nisur sot të çmontonin strukturat e lokaleve, që kanë në shkelje.

Por ky aksion nuk po zhvillohet vetëm në Tiranë, pasi edhe në Vlorë këtë të diel, kanë nisur ndëshkimet e para për zaptuesit e hapësirave publike. Policia e qytetit bregdetar ka proceduar penalisht administratorin e një subjekti në lagjen “Uji i Ftohtë”, i cili kishte zënë në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe toke publike prej 300 m², në të cilën kishte vendosur çadra, shezlong dhe tavolina plazhi, pa qenë i pajisur me leje nga autoritetet përkatëse.

Shërbimet e Policisë do të vijojnë kontrollet përgjatë gjithë vijës bregdetare, me qëllim lirimin e hapësirave publike për pushuesit dhe verifikimin e aktiviteteve që kryejnë subjektet, gjatë sezonit veror.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *