Koment: Luli i ka çuar fjalë kryeministrit Rama, që nga Vlora, që kur të kthehet në Tiranë të ‘mos e gjej në kryeministri’. Mirë ia ka bërë, madje të marrë edhe ca hithër andej nga Myzeqeja gjatë kthimit dhe sa të vijë, t’i heqë pantallonat e ta grijë në hithër kryeministrin në post. Që aty të marrë në dorë frenat e shtetit dhe të deklarojë se ‘Unë , Luli, sa erdha nga Vlora me bekimin e Ismailit, dhe tani jam kryeministër! Kryeministri që ishte, Rama, po qanë nga hithrat’.
Kjo është e domosdoshme të bëhet, se kjo qeveri nuk ia ka haberin si qeveriset, e ka varfëruar popullin, e ka rritur krimin, nuk po e lufton drogën, nuk po ia jep 13 milionë euro vjehrrit të Lulit për pallatin në Vlorë që kishte kushtuar veç 1. 5 milionë; nuk po u hap rrugën delfinëve të Lulit për fonde, tenderë dhe privilegje…. E si do të jetojë opozita pa këto privilegje? Prandaj kryeministri Rama, ky ‘kriminel’ duhet të rrihet me hithër dhe të lihet ‘bythë- përjashta’ në bulevardin para kryeministrisë. Ashtu…. Se këtë meritojnë këta ‘këlyshë’ kriminelësh…
Sa të vijë Luli nga Vlora, edhe po erdhi pas mesnate, Rama ta presë para selisë së kryeministrisë dhe t’i japë çelësat.
Mirëpo Luli sot nga Vlora ka bërë një gabim kur ka deklaruar se ‘deri në 15 shkurt, Rama të jetë larguar’ nga selia e kryeministrisë. Gabimi është pse e njoftoi; sepse Rama do të marrë masa e do të fshehë çelësat e qeverisë. Ose mund t’i hedhë edhe në Lanë, e hajde gjeji pastaj. Rama si ‘kriminel’ hileqar që është mund t’i hedhë çelësat në Lanë në datë 15 shkurt, me qëllim që kur të vijnë ushtarët e Lulit në protestën e 16 shkurtit, t’i hyjnë me not Lanës për të gjetur çelësat që t’ia japin Lulit. Janë ‘kriminelë’ këta socialistët( mirë thoshte Pjetër Arbnori), gjithnjë ia kanë punuar Lulit. Vitin e kaluar, me marrëveshjen e 18 Majit, Rama i dha Lulit ‘çelësat e kashtës’. Luli u ankua cep më cep se ‘ma hodhi Rama, më dha çelësat e kashtës’…
Por këtë vit, në marrëveshjen e re mes Ramës dhe Lulit është përcaktuar që Rama t’i japë ‘çelësat e Lanës’, dhe bash për këtë Luli ndjehet i lumtur që nga Vlora në marshimin drejt kryeministrisë në Tiranë. Por po dështoi edhe kësaj here Luli e ka pisk, sepse ‘çelësat e kashtës’ nuk janë gjë para ‘çelësave të Lanës’. Çelësat e Lanës janë më poshtërues, sepse pa mendo sikur të gjithë ushtarët të hyjnë në këtë Lanë me ujëra të ndotura, si do të duken këmishët dhe kravatat e tyre pas ‘notit’ për çelësat….
Gjithë ato lloj përrallash e mashtrimesh po thotë ky Luli për marrjen e pushtetit me një të vërshëllyer para kryeministrisë. Idiotët e hanë edhe këtë, por nga viti 2017 e deri tani edhe idiotët janë shumë më pak.
Ndoshta duhet një këshillë për Lulin pasi e bëri gabimin e madh dhe tregoi ditën kur do ta marrë pushtetin: në 15 shkurt. Ndoshta i duhet thënë ‘O Lul, po punoja edhe ti Ramës, or burrë!”.
Si i punohet Ramës? Luli të bëjë sikur po vjen me kalë që nga Vlora në datë 15 shkurt, por të bujë dy net në Kavajë. Aty ka bujtë Haxhi Qamili, aty ka lindur kjo demokraci që po gëzojmë me lumturi, aty ish- kryetari i Bashkisë ka bërë tregti femrash… Dy net kalohen mirë në Kavajë. Pas dy netësh, fap!, në Tiranë, papritur dhe Luli e kap gafil Ramën duke u kthyer nga Arabia Saudite… “Ore, nuk të lë t’i hedhësh çelësat në Lanë, se ta nxora bojën!’, thotë Luli dhe qeveria Rama dorëzohet…
Se nuk bëhet gjë deri në 15, Luli, dëgjo një herë! As ka kohë që Rama të vijë nga Arabia për të dorëzuar çelësat, as kunati nuk është gati për peshqeshet….
Veritas.com.al/