Anësia për nga pushteti politik dhe interesat financiare e kanë bërë median që të cënojë ligjin, jetën private dhe dinjitetin e njerëzve.

Gazeta “Shqiptarja.com”, një gazetë relativisht e re në tregun mediatik shqiptar, është perceptuar si një media e lidhur fort, ekonomikisht dhe emocionalisht me qeverinë dhe bizneset rreth saj. Me qëllim që t’i shërbente qeverisë me pasion, në një moment të fundit siç ishte aksioni popullor për të mos lejuar ligjin për importin e plehrave nga jashtë, gazeta falsifikoi firmën e Ben Blushit,  një deputeti socialist kundërshtar të kryeministrit. Kjo ndodhi para pak ditësh dhe është një ngjarje në proces, por që ka mbushur faqet e gazetave. Deri tani “Shqiptarja. Com” nuk ka shkruar asgjë si përgjigje ndaj këtij skandali.

Ndërkohë që publiku po “përpunon” skandalin e falsifikimit të firmës së deputetit “armik”, në gjykatën e Tiranës është paraqitur një kërkesë- padi nga një qytetar ndaj gazetës në fjalë. Padinë e ka nënshkruar Avni Koldashi, e paditur është “Free and Fair Media Group” ( Gazeta Shqiptarja.com

Gazetës Shqiptarja.com i kërkohet të paguajë një dëm jo material nga Avni Koldashi, për shpifje të qëllimshme dhe mos-tërheqje të akuzave sipas kërkesës së paditësit Koldashi, në shumën 10.000 (dhjetëmijë) Euro si dhe pasojat te tjera ligjore që parashikojnë ligjet përkatëse, sipas Lapsi.al.

Çështja është regjistruar në gjykatën e Tiranës më 14.09.2016 dhe do të gjykohet nga gjyqtari Altin Shkurti. Seanca është parashikuar më 14.10.2016.

Avni Koldashi ka qenë i akuzuar si një nga rrëmbyesit e biznesmenit kosovar Remzi Hoxha. Pas një procesi të gjatë gjyqësor ai mori pafajësi nga Gjykata e Krimeve të Rënda.  Pak muaj para padisë, në një nga shkrimet e saj, Shqiptarja.com e quante Koldashin “rrëmbyesi i Remzi Hoxhës”, ndonëse ai kishte marrë pafajësinë në gjykatë.

Gazeta “Shqiptarja.com” është krijuar dhe qeveriset nga italiani Carlo Bolino dhe gruaja e tij me origjinë shqiptare, Malltezi. Carlo Bolino njihet si një aktivist shumë i zellshëm i kryeministrit Rama, ai ka përfituar disa favore financiare dhe nën zë thuhet se është bashkëpunëtor në aferat e fshehta të qeverisë. Bolino ka ardhur si gazetar nga Bari- Itali aty nga vitet 1994-95, ka krijuar gazeta dhe kanale televizive me qëllim shitjen e tyre në tregun shqiptar. Duket se më të njëjtin qëllim ka krijuar edhe “Shqiptarja.com”, dhe televizionin “Report TV”.