Frrok Çupi/
… Vetë presidenti i Rusisë, Putin, që u shpall ‘spiun i KGB’ ndodhet sot në majë të pushtetit, duke ardhur nga backgruond ‘spiun’. Ke edhe të tjerë, sigurisht, në histori, që prej ‘gropës’ spiun ngjiten në pushtet si ministra a si kryeministra a si shefa…
Por jo gazetarë. Është njësoj si të jesh prift dhe sa të bjerë nata të nisësh të shembësh altarin e kishës tënde…
Sa keq më vjen për këta tipa që kanë gënjyer veten dhe kanë thënë se janë gazetarë! Sa keq më vjen edhe për vetë gazetarinë që ra në këtë mizerabilet! Merr tjetri një laptop, një adresë Email, një lidhje Wi-Fi, dhe…, “tani je gazetar”, thotë. Nuk kam asgjë me këtë teori të viteve të fundit mbi gazetarinë, por edhe kjo teori kaq e dyshimtë është cunguar. Sepse teoria e universiteteve amerikane nuk ka pasur ‘në mendje’ që të kufizohet vetëm me kaq, gazetari ka kulturë, ka etikë, ka dobi, ka mision…, jo vetëm laptop dhe Email.. Në Universitetin e Gazetarisë në Kaliforni kam parë të shkruar se “gazetari është mësues i popullit”… Por kurrë, asnjë teori nuk mund të thotë: “Merr përgjuesin, piketo një mashtrues ose trafikant, dhe… “tani je gazetar”.
Ajo çfarë nuk mund të jetë e përbashkët me gazetarin, është që të mos ketë lidhje spiunimesh me partinë ose me pushtetin. Kjo është e padiskutueshme!
Nuk është faji as i Partisë, as i pushtetit (kur ka vende me pushtet e me parti të keqe), pse dikush që i thotë vetes gazetar, lëpihet e spiunon për Partinë.
Ka ndodhur një tërmet këto ditë: Një gazetar (të them të vërtetën nuk ia dija emrin si gazetar), ka përgjuar njerëz në favor të një partie, në këtë rast PD. Pasnesër, e shtune, PD në opozitë ka ngritur më këmbë një protestë popullore bazuar në përgjimin e këtij gazetarit. Në vend që Demokracia të ngrejë më këmbë institucionet dhe protestat kundër deformimit të Demokracisë…, bën të kundërtën. Këtu shoqëria merr infeksion vdekjeprurës.
Partia këtë punë ka, sepse dihet çfarë është; paria është pjesëz, klan, klikë. Ajo sa më shumë njerëz të përdorë e të shtrydhë, aq më shumë e suksesshme duket në bilanc.
Po, vallë gazetari, ç’pati që shërbeu si spiun i Partisë? Jo thjesht për vete; për vete mund të spiunonte dhe të deklaronte “Unë, Jetmiri po spiunoj një trafikant që është vëllai i ministrit”. Por të mos deklarohet se është ‘gazetar’. Me këtë mënyrë iu ka nxirë fytyrën të gjithë klasës së gazetarëve, i ka zhytur në mosbesim, i ka fshirë nga misioni i tyre në demokraci…
Jo se Jetmiri, psh., e bën këtë, që ‘të fshin’, jo! Këtë e bën Partia pastaj, e bën pushteti. Të fshijnë ata, i dashur Jetmir. Sepse Partia dhe pushteti atë punë kanë, të marrin e të përdorin, të bëjnë edhe nëpunës diku; po pastaj?… pastaj njerëzia nuk ka më besim te gazetarët, as te mediat. Politika fërkon duart pse hoqi qafe një armik të sajin dhe një aleat të popullit, që është gazetaria.
Ne kishim një epokë të tërë pesë dekada kur ‘gazetari, shkrimtari, artisti…ishin shpallur ndihmës të partisë”. Dhe kishim një popull pa aleat, një realitet pa dëshmitar, një drejtësi pa të drejta…
… Pasnesër do të duhej që protesta në shesh të kthehet drejt vlerës: Të thërrasë kundër gazetarëve spiunë të partisë e të pushtetit!
Askush në botën e qytetëruar nuk ndodh kjo që ndodhi këtu.
Në leksionet e profesorëve londinez të gazetarisë, thuhet: “Nëse një gazetar shikohet duke pirë kafe me një politikan, ai nuk është më i besueshëm, as gazeta ku punon”. “Duke pirë kafe!”, thotë leksioni… ndërsa spiunimi për Partinë as që mund të flitet, nga tmerri i perceptimit.
Veritas.com.al/