Pasi u shpërnda lajmi se edhe Elona Gjebrea, deputete e PS dhe ish- zëvendësministre e Tahirit, është thërritur në Prokurori për shpjegime, ajo e mohoi. Mohoi edhe se kishte bërë ndonjë udhëtim me ministrin e saj, Tahiri.

Por provat e zbuluara dëshmojnë se zonja Gjebrea ka udhëtuar me Tahirin jashtë vendit, madje edhe me makinën ‘simbol’ të trafikut të drogës ‘Audi 8, AA 003 GB’.

Të dhënat nga sistemi “TIMS”, zbulojnë se ish zv.ministrja e Brendshme, Elona Gjebrea ka udhëtuar me këtë makinë, së bashku me  Saimir Tahirin, i cili e merrte makinën nga kushërinjtë e tij, Habilajt.

Në atë kohë, Artan Habilaj e të tjerë kanë qenë nën hetim nga Antimafia Italiane për trafik lëndësh narkotike

Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea kanë dalë bashkërisht për në Greqi, në datën 8 gusht të vitit 2014. Ata kanë dalë nga Shqipëria me traget, nëpërmjet Portit të Sarandës, pa makinë. Ndërsa janë kthyer së bashku  nga Greqia në datën 16 gusht të vitit 2014. Por në kthim, kanë hyrë në kufi me automjetin Audi 8, AA 003 GB, nga pika e kalimit kufitar të Qafë Botës, në Sarandë.

Daljen e kanë të regjistruar pa makinë dhe hyrjen e kanë me AUDI-n me targa AA003 GB.

Ecuria e lëvizjeve të tyre në ato data sipas sistemit TIMS

(08.08.2014- 16.08.2014)

DALJE

Dt. 08.08.2014- Saimir Tahiri, dalje nga Pika Kufitare e Portit Sarandë (Traget) për në Greqi, ora 9.33

Dt. 08.08.2014- Elona Gjebrea, dalje nga Pika Kufitare e Portit Sarandë (Traget) për në Greqi, ora 9.32

Pra, Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea kanë dalë bashkërisht për në Greqi me traget (pa makinë).

Ndërkohë në datën 14 gusht të vitit 2014, Artan Habilaj ka dalë nga Shqipëria nga Pika Kufitare e Qafë Botës, në Sarandë për në Greqi, me automjetin AA 003 GB. Dalja është bërë në orën 10.51 minuta.

Habilaj është kthyer dy ditë më pas në datën 16 gusht nga Pika Kufitare e Sarandës për në Shqipëri, me traget, pa makinë.

Pra, Artan Habilaj shkoi në Greqi me mjetin e tij AUDI dhe u kthye me traget. Mjetin e përdori Saimir Tahiri dhe Elona Gjebrea që hynë në Shqipëri nga Greqia, nëpërmjet pikës kufitare të Qafë Botës, me automjetin AA 003 GB. Ata kanë hyrë konkretisht:

Saimir Tahiri në orën 13.31, dt. 16.08.2014

Elona Gjebrea në orën 13.34, dt.16.08.2014

është e qartë se Artan Habilaj është takuar me Saimir Tahirin në Greqi dhe i ka lënë automjetin me të cilin Ministri i Brendshëm u kthye së bashku me Elona Gjebrean.

Ndërsa Artan Habilaj, pasi i ka dhënë makinën Saimir Tahirit, është rikthyer në të njëjtën ditë në Shqipëri, por me traget.

Veritas.com.al/