Një çift të moshuarish janë gjetur të pajetë nga fqinjët në banesën e tyre në fshatin Bodrisht të Dropullit. Policia ka bërë me dije se në trupat e çiftit, Kosta Ilia dhe Androniqi Ilia, janë konstatuar shenja dhune, të cilat dyshohet se janë shkaktuar nga mjete të forta.
Policia bën me dije gjithashtu se pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, nuk janë konstatuar hyrje me dhunë në ambientet e banesës. Nisur nga kjo, dyshohet se mund të bëhet fjalë për krim në familje dhe jo për grabitje.
Policia po vijon hetimet intensive për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
“Rreth orës 08:00, janë gjetur nga fqinjët, të pajetë, në banesën e tyre në fshatin Bodrisht, shtetasit K. I., 84 vjeç dhe K. I., 88 vjeçe (bashkëshortë). Nga këqyrjet paraprake të trupave të 2 shtetasve, janë konstatuar shenja dhune, dyshohet të shkaktuara me mjete të forta rrethanore.
Gjithashtu, nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, nuk janë konstatuar thyerje të dyerve apo dritareve, si dhe në brendësi të banesës nuk janë konstatuar çrregullime të orendive.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe së bashku me grupin e posaçëm hetimor të ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet intensive për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftim.