( FOTO: Llogara sot në mëngjes)/

Reshjet e borës kanë mbuluar një pjesë të konsiderueshme të vendit, duke nisur nga veriu, verilindja, juglindja e deri në jug të Shqipërisë. Tani pritet që bora e rënë të kthehet në akull, dhe kjo është situata më e vështirë.

Temperaturat kanë rënë deri në minus 13 gradë C. Sinoptikanët paralajmërojnë se bora do të zbardhë edhe zonat e ulëta, gjë që nënkupton edhe Tiranën apo Vlorën.

Ministria e Mbrojtjes u ka dërguar letër kujtese prefekturave të 12 rretheve që preken më shumë nga të ftohtët, duke u kërkuar informacion mbi çdo hap.

Drejtoria e përgjithshme e Rrugëve ka paralajmëruar se ku mund të kalohet dhe ku jo, ku duhet të përdoren zinxhirët për makinat, dhe cilat janë rrugë të bllokuara.

Nga zonat e vendit vijnë informacione mbi ecurinë e motit të egër:

Nga Bulqiza raportohet për reshje të dendura bore dhe ngrica në rrugë. Në Qarkun e Elbasanit raportohet për probleme në qarkullim në zonat malore të Librazhdit e Përrenjasit, ku kalimi kryhet me zinxhirë, si në Rrajcë, Stëblevë dhe Sopot, ndërsa Qafë Thana është e kalueshme pa zinxhirë.

Ndërkohë probleme nga moti i keq ka pasur edhe në Korçë. Reshjet e borës dhe temperaturat e ulëta kanë prekur të gjithë qarkun, në Dardhë trashësia e borës ka mbërritur në 40 cm, ndërsa në zonat e tjera nga 15-20 cm borë. Në disa akse ka prani akulli në rrugë.

Bëhet e ditur se në akset Korçë-Dardhë, Korçë-Voskopojë dhe në Qafën e Qarrit lëvizet vetëm me makina me zinxhirë.

Edhe Gjirokastra është prekur nga reshjet e borës, që kanë zbritur deri në 300 m lartësi, duke mbuluar pjesën e sipërme të qytetit dhe zonën e Dropullit. Akset nacionale janë të kalueshme, vetëm në Qafën e Çajupit raportohet për lëvizshmëri me vështirësi. Zagoria dhe Pogoni janë të mbuluara nga bora gjithashtu.

Në pikëkalimin kufitar të Kakavijës fluksi në dalje i makinave dhe qytetarëve është më i ulët nga sa pritej, për shkak edhe të bllokimeve nga dëbora në disa zona të Greqisë.

Reshje të dendura bore janë shënuar gjatë natës edhe në Llogora, ku trashësia e saj ka mbërritur deri në 20 cm. Qarkullimi i automjeteve është i vështirë, ndaj ato lejohen të kalojnë vetëm me zinxhirë.

Borëpastrueset kanë qenë në punë gjatë të gjithë natës dhe deri në orët e para të mëngjesit të sotëm për të pastruar rrugën, e duke bërë të mundshëm qarkullimin normal. Rreziqet më të mëdha i sjell ulja e temperaturave nën zero, gjë që pritet të krijojë ngrica në rrugë.

Renia e temperaturave që pritet gjatë natës që po vjen mund të krijojë shumë veshtirësi.

Veritas.com.al/