Gjykata e Posaçme ka lënë në fuqi masat e sigurisë ndaj 4 të arrestuarve nga operacioni i fundit i SPAK.
Erzen Breçani, Dedian Gjoni, Bujar Germizi dhe Bujar Ajeti, do të qëndrojnë në burg deri në përfundim të hetimeve.
Ndërkaq, Jonida Babameto do të hetohet me masën e sigurisë detyrim paraqitjeje.
Grupi akuzohet për vepra të rënda penale, sigurim kushtesh për vrasje, trafik narkotikësh, pastrim parash dhe përkrahje autori.
Për këtë dosje, SPAK lëshoi 11 masa sigurie, 5 prej të cilave u ekzekutuan, ndërsa 6 u shpallën në kerkim. Mes të shpallurve në kerkim janë djali i Breçanit dhe Ervin Mata.
Ish drejtori i policisë, Erzen Breçani doli këtë të enjte para gjykatës së bashku me tre të arrestuarit e tjerë, të akuzuar si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Ai ka deklaruar se nëse ndodhet në burg është për shkak të djalit të tij, i cili është shpallur në kërkim për trafik droge.
“Nëse jam në burg jam prej djalit. E kam këshilluar të mos merret me gjera të paligjshme. Nuk e di ça ka bërë, nuk kam prova me ça merret im bir. Vetë i kam shërbyer këtij shteti, ku kam vënë edhe jetën në rrezik”, raporton gazetarja të jetë shprehur mes të tjera Breçani në sallë të gjyqit, ndërsa ka përmendur disa nga aksionet që ka bërë dhe personazhet që ka arrestuar.
“Ka qenë një vendim i sapomarrë nga GJKKO. Këto hetime sollën arrestimet e Erzen Breçanit, Dedian Gjonit, Bujar Germizit dhe Bujar Ajetit. Këta persona janë lënë nën masën e sigurisë “Arrest në burg”. Kemi pasur edhe një deklaratë nga Erzen Breçani. Ai deklaroi se nëse ndodhet në burg, kjo është prej djalit të tij. Ai i ka kërkuar djalit që të hiqte dorë nga trafikimi i lëndëve narkotike. Ai theksoi se i ka shërbyer shtetit. Janë edhe 6 persona të tjerë në kërkim, pritet shpallja në kërkim ndërkombëtar të tyre”, raportoi gazetari i ABC News, Ervin Leka./