Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja është marrë i pandehur nga GJKKO. Pas hetimeve të SPAK rezulton se ka bërë mosdeklarim e fshehje pasurie. GJKKO pranoi kërkesën për ta gjykuar Dedjan pas më shumë se 2 vite hetime.

Bashkim Dedja akuzohet për kryerjen e veprës penale të “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, kryer në formën e deklarimit të rreme dhe të fshehjes, të parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal. Për akuzë të ngjashme është nën hetim edhe ish-gjyqtari tjetër i Kushtetueses, FAtos Lulo.

Psuritë e sekuestruara:

Kujtojmë se Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi në prill sekuestrimin pasurive të ish-Kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja dhe ish gjyqtarit Fatos Lulo. SPAK zbuloi nga hetimi penal të dhëna që ish gjyqtarët  kishin në pronësi pasuri të paluajtshme, të cilat nuk i justifikonin me burime të ligjshme, apo pasuri që i kanë fshehur. Fatos Lulos i është sekuestruar një dyqan 172 m2, e ndodhur në rrugën e Durrësit, Tiranë. Po ashtu GJKKO, pasi ka pranuar kërkesën e SPAK, ka vendosur sekuestron mbi pasurinë në zotërim të shtetasit Bashkim Dedja, e llojit apartament, me sipërfaqe 60 m2, e ndodhur në zonën Kryemedhenj, Njësia Administrative Golem Kavajë.