TIRANË– Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka vendosur të shuajë masën e sigurisë “arrest me burg” për Lefter Kokën, për çështjen e inceneratorit të Fierit.
Shuarja e masës u bë për shkak të mbarimit të afateve ligjore të paraburgimit.
Lefter Koka u akuzua për veprat penale shpërdorim detyre, korrupsion dhe pastrim parash.
Njoftimi i GJKKO:
Kërkuesi Lefter Koka ka paraqitur pranë gjykatës kërkesën me objekt: “Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit dhënë shtetasit Lefter Koka, me vendimin nr.22, datë 23.06.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e zbatuar nga policia gjyqësorë në datë 29.03.2022, ora 09:15, dhe e lënë në fuqi me vendimin nr.23, datë 31.03.2022, të po kësaj gjykate”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Bib Ndreca, me vendimin nr. 798, datë 11.12.2025, vendosi:
1. Pranimin e kërkesës.
2. Konstatimin e humbjes së fuqisë së paraburgimit, konkretisht të masës së sigurimit “Arrest në burg” parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar me
vendimin Nr.22 datë 26.03.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, masë e ekzekutuar më datë 29.03.2022, ora 09:15, dhe masë e vijuar me vendimin Nr.23, datë 31.03.2022, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ndaj Lefter H. Koka, në zbatim të nenit 263/6/c të K.Pr.Penale, përshkak se kohëzgjatja tërësore e paraburgimit ka kaluar mbi tre vjet.
3. Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i kërkuesit Lefter H. Koka, nga ambjentet e paraburgimit, përveçse nëse ndaj këtij shtetasi ka ndonjë masë tjetër sigurimi personal me karakter shtrëngues parashikuar nga nenet 238 K.Pr.Penale, urdhër ndalimi, apo dënim tjetër penal me burgim të formës së prerë, të pavajtuar.
4. Urdhërohet Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Policia Gjyqësore për ekzekutimin e këtij vendimi.
5. Shpenzimet gjyqësore siç janë bërë.
6. Kundër këtij vendimi lejohet e drejta e ankimit brenda 5 (pesë) ditëve, duke filluar ky afat nga e nesërmja e njoftimit të këtij vendimi, në Gjykatën e Posaçme të
Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Komente