Gjykata e Posaçme i ka mbyllur Adriatik Llallës një tjetër mundësi për t’iu shmangur burgut.

Shkalla e parë e GJKKO-së ka rrëzuar kërkesën e ish-prokurorit të Përgjithshëm për parashkrimin e dënimit me 2 vite burg për fshehje dhe mosdeklarim pasurie.

Ai kishte kërkuar që dënimi i dhënë në vitin 2021, me vendim të formës së prerë, të konsiderohej i parashkruar, me argumentin se kishin kaluar pesë vite nga vendimi pa vuajtur dënimin me burg.

Ish-kreu i Prokurorisë së Përgjithshme nuk ishte i pranishëm në seancë dhe u përfaqësua nga avokati i tij.

Llalla u dënua në vitin 2021, ndërsa më 22 shtator të po atij viti, Apeli i Posaçëm la në fuqi vendimin.

Ai u shpall fajtor për mosdeklarim dhe fshehje pasurie në tri episode ndërkohë përveç dy viteve burg, gjykata vendosi konfiskimin e një apartamenti në Durrës dhe të rreth 22 mijë metrave katrorë tokë në periferi të Tiranës. Ndaj Llallës u vendos gjithashtu ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike për pesë vite.

Ish-prokurori i Përgjithshëm ndodhet në Itali, ai u largua përpara se vendimi të merrte formë të prerë dhe kërkoi azil politik.

Llalla është në kërkim prej 5 vitesh, pasi u arrestua në Itali në dhjetor të 2021 u lirua më pas për shkak të gjendjes shëndetësore, me kushtin që të qëndronte nën mbikëqyrjen e autoriteteve italiane

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *