Ministri i Turizmit, Blendi Klosi ndëshkohet me gjobë 5 mln lekë (të vjetra) për shkelje të masave anti-COVID.

Lajmi konfirmohet nga vetë strukturat e Policisë së Shtetit, të cila njoftojnë se bashkë me Klosin është gjobitur edhe pronari i lokalit.

“Organizoi një takim në kundërshtim me masat anticovid, ndëshkohet me masë amdinistrative 5.000.000 lekë, përfaqësuesi i një subjekti politik.

Lejoi organizimin e këtij takimi në lokalin në pronësi të tij, ndëshkohet me masë administrative 1.000.000 lekë, pronari i subjektit.

Shërbimet e Policisë kanë ndëshkuar me masë administrative 5.000.000 lekë, shtetasin B. K., përfaqësues i një subjekti politik, pasi ka organizuar një aktivitet duke grumbulluar persona, në kundërshtim me pikën 2 të nenit 3 të Aktit normativ Nr. 3 të datës 15.05.2020 “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga COVID-19”.

Gjithashtu, shërbimet e Policisë kanë ndëshkuar me masë administrative 1.000.000 lekë, shtetasin K. H., pronari i subjektit, pasi ka lejuar zhvillimin e këtij aktiviteti në subjektin në pronësi të tij, në kundërshtim me Aktin Normativ”, thuhet në njoftim.

Ditën e djeshme, me 5 milionë lekë gjobë u ndëshkua edhe ish-deputeti i LSI Endrit Braimllari, si edhe një aktivitet në Durrës ku merrte pjesë Ilir Meta. Por ndaj këtyre masave, Presidenti dhe e shoqja protestuan publikisht dhe kërcënuan Policinë e Shtetit.

VERITAS.COM.AL