Që sot, Gjykata ka liruar nga çdo akuzë ish ministrin Saimir Tahiri, i akuzuar për përfshirje në banda kriminale të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe armëve. Që sot, Tahiri mund të bëhet prapë ministër ose kryeministër. Edhe Opozita ka treguar shenja ‘tolerance’ ndaj Tahirit dhe mund ta votojë në Kuvend, por kërkon largimin e ministrit aktual Xhafa.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka lënë të lirë sot ish-ministrin, Saimir Tahiri duke hequr masën “arrest shtëpie” që iu dha 15 ditë më parë. Vendimi është marrë pas apelimit të ish-ministrit.
Avokati i Tahirit, Maks Haxhia deklaroi pas seancës që zgjati 2 orë e 30 minuta se “klienti im është që sot i lirë. Nuk ka asnjë provë kundër tij”.
Gjykata e shkallës së parë vlerësoi provat për “arrest shtëpie”, kurse Apeli sot rrëzoi vendimin duke e lënë të lirë ish-ministrin. Ende nuk janë zbardhur argumentet e gjykatës për këtë vendim, por një hap i tillë e çon ish-ministrin e akuzuar për pjesëmarrje në veprimtari kriminale të trafikut të drogës, drejt lirisë.
Vendimi i sotëm u paralajmërua nga Ambasadori i SHBA, në Tiranë, komenton gazeta KJ. Një ditë më parë, ambasadori Lu ngriti hije të forta dyshimi për vendimin që do të jepej këtë të hënë. I dërguari i Uashingtonit në Tiranë ka thënë se vendimi i Apelit duhet të bazohet mbi prova dhe jo presione apo ryshfete të ofruara.
“Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin”, tha Ambasadori Donald Lu një ditë më parë.
Veritas.com.al/