Dosja për ish ministrin e mbrojtjes Fatmir Mediu, i cili është nën hetim për tragjedinë e Gërdecit është dërguar në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Pas këtij vendimi pritet që ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu të merret nga SPAK si i pandehur për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe të vijojë menjëherë gjykimi i tij në GJKKO, shton gazetarja Anila Hoxha.
“Dosja Gërdeci” është një ndër çështjet e pazbardhura nga drejtësia shqiptare, ndërsa pas shumë vitesh u pa një dritë e vogël në fund të tunelit, pasi SPAK i dërgoi një kërkesë Gjykatës së Lartë për rifillimin e hetimeve për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu.
Për vrasjen e 26 viktimave në Gërdec Prokuroria e Përgjithshme kishte përfshirë në padinë e saj edhe ish ministrin e Mbrojtjes Fatmir Mediu. Hetimi ndaj tij u realizua pasi Kuvendi në vitin 2008 dha lejen që Mediu si deputet të hetohej. Por pas zgjedhjeve të vitit 2009, u gjet një procedurë për ta shpëtuar Fatmir Mediun nga përgjegjësia.
Po çfarë ndodhi që ish ministri i Mbrojtjes që duhej të kujdesej edhe për municionet që mos shpërthenin, i shpëtoi gjyqit?
Gjithçka ndodhi në një skemë ku duket se u bënë bashkë të gjithë, politika, prokuroria, dhe gjykata për të mos e çuar përgjegjësinë në nivelet më të larta. Në shtator të vitit 2009, pak muaj pasi Mediu ishte rizgjedhur deputet, në gjykatën e lartë zhvillohet një gjyq.
Kërkuese ishte prokuroria që kishte ngritur akuzë për shpërdorim detyre ndaj ministrit Mediu. Por para kolegjit të gjykatës së lartë, avokatët e ish ministrit kërkuan që të ndalohej çdo proces për shkak se Mediu kishte rikonfirmuar imunitetin e tij si deputet. Këtë argument e mbështetën tre nga pesë gjyqtarët e gjykatës së lartë. Besnik Imeraj, Ardian Nuni dhe Majlinda Andrea vendosën që të ndalohej gjyqi sepse Mediu kishte imunitet, ndërsa dy gjyqtaret Evjeni Sinoimeri dhe Evelina Qirjako ishin kundër dhe kërkuan që të vijonte gjyqi.
Në fund shumica fitoi. Gjyqtarët që mbyllën çështjen e Gërdecit dhe nuk lejuan që edhe politika të jepte llogari për atë tragjedi që u shkaktua nga korrupsioni, tashmë janë janë jashtë sistemit të drejtësisë. Kryesuesi i trupës gjyqësore Besnik Imeraj dha dorëheqjen nga drejtësia duke mos hyrë fare në Vetting. Ardian Nuni pas përfundimit të mandatit në Gjykatën e Lartë nuk u kthye më drejtësisë. Ndërsa gjyqtarja tjetër Majlinda Andrea u arrestua me akuzën e korrupsionit sepse kishte marrë para për një çështje gjyqësore. Ajo u dënua me disa vite burgim e më pas u la me shërbim prove. Para disa ditësh, SPAK i kërkoi Gjykatës së Lartë që të rinisë çështjen ndaj ish ministrit Fatmir Mediu për çështjen e Gërdecit.
Më herët gjykata e Lartë me tjetër trup gjykues kishte dhënë një tjetër vendim kontrovers duke e quajtur tragjedinë e Gërdecit një aksident teknologjik. Trupa gjykuese që e bëri këtë përcaktim kishte si anëtar edhe gjyqtarin Shkëlzen Selimi.
VERITAS.COM.AL