
Nga Niazi Jaho
Pak histori:
Para disa ditëve, u njoha me vendimin nr. 35, datë 27.05.2025 të Gjykatës Kushtetuese. Sipas këtij vendimi, rezulton se një e dhjeta e deputetëve kishte paraqitur në Kuvend një mocion në të cilin pretendohej se deputeti V. S kishte kryer veprimtari fitimprurëse që buronte nga pasuria e shtetit ose e pushtetit vendor. Mocioni bazohej në nenin 70, pikat 3 dhe 4 të Kushtetutës.
Kuvendi kishte vendosur rrëzimin e këtij mocioni, ndërsa jo më pak se një e dhjeta e deputetëve të Kuvendit i ishte drejtuar Gjykatës Kushtetuese me kërkesën për deklarimin të papajtueshëm me Kushtetutën të vendimit nr. 5, datë 30.01.2025 të Kuvendit dhe detyrimin e tij për t’i dërguar gjykatës mocionin e rrëzuar.
Gjykata Kushtetuesen në vendimin nr. 35, datë 27.05.2025, që përmendëm më lart, është shprehur se: “në çdo rast, një e dhjeta e deputetëve ka të drejtën të kërkojë nga Kuvendi me mocion që të dërgojë në gjykatë çështjen e papajtueshmërisë së deputetit në ushtrimin e mandatit dhe në rast të rrëzimit të një mocioni të tillë aktivizohet e drejta e jo më pak se një të pestës së deputetëve për të vënë drejtëpërdrejt në lëvizje gjykimin kushtetues për shqyrtimin në themel të çështjes së papajtueshmërisë dhe deklarimin e mbarimit të mandatit të deputetit.” (Shih Par. 28)
Në rastet e mëparshme kur mocioni i një të dhjetës së deputetëve është rrëzuar nga Kuvendi dhe është vendosur mos dërgimi içështjes në gjykatë (siç ka qenë p.sh rasti i deputetes O.XH), qendrimi i gjykatës ka qenë krejt i ndryshëm. Që çështja të jetë e qartë për lexuesin e shikoj të nevojshme t’i referohem vendimit të Gjykatës Kushtetuese, nr. 55, datë 10.07.2024, ku thuhet:
a) Kur Kuvendi vihet në lëvizje me mocion të Kryetarit të Kuvendit ose një të dhjetës së anëtarëve të tij, duhet të vendoset dërgimi i çështjes në Gjykatë Kushtetuese, e cila është organ i vetëm që ka kompetencë të shqyrtojë në themel çështjen…
b) Në rastet kur Kuvendi vihet në lëvizje sipas pikës 4 të nenit 70 të Kushtetutës “Kuvendi nuk mund të vë në diskutim nocionin e paraqitur dhe nuk mund t’ja nënshtrojë atë debatit parlamentar…Kuvendi, në këto raste, nuk mund t’i hyjë themelit të çështjes, pra vlerësimit nëse veprimet konkrete të pretenduara të kryera nga deputeti, janë të papajtueshme me mandatin e tij.” (Par. 39 ivendimit)
c) Lidhur me mosdërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese, në vendim theksohet se: “Kuvendi detyrimisht duhet të zbatojë vendimet e saj, konkretisht atë që sanksionohet në nenin 132 të Kushtetutës ku thuhet se “vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë përfundimtare dhe të detyrueshme për zbatim.” (Par. 44 i vendimit)
d) Gjykata vlerëson se “parimi kushtetues i mandatit të lirë të deputetit nuk mund të kuptohet si liri absolute… Gjykata çmon se parimi i mandatit të lirë (jo detyrues) edhe pse është i zbatueshëm në procedurat parlamentare kur deputetët thirren në votim, nuk nënkupton se liria në votim e deputetëve është absolute. Përkundrazi kjo liri, në votimin e tij, i nënshtrohet kufizimeve.” (Par. 58 ivendimit)
Kundër vendimit të mësipërm kam shprehur opinionin tim kritik në një shkrim të publikuar në gazetën “Dita”, të datës 16 janar 2025, të titulluar: “Ngërçin e ka krijuar vetë Gjykata Kushtetuese”.
Vendimi nr. 35, datë 27.05.2025 i gjykatës që ka ndryshuar thellësisht qëndrimet e saj të mëparshëm duke zhbllokuar kështu ngërçin që vetë ajo ka krijuar, (në fakt edhe pse nuk shprehet) pranon se:
a) Qëndrimi i Kuvendit ka qenë i drejtë, dmth në pajtim me Kushtetutën. Ai nuk ka cenuar asnjë nen të Kushtetutës nër rastet kur ka refuzuar mocionin dhe si pasojë nuk ishte i detyruar t’ia dërgonte çështjen Gjykatës Kushtetuese.