Djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzen Berisha do të thirret si dëshmitar në gjyqin ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes në qeverinë e babait të tij, Fatmir Mediu.
GJKKO ka pranuar sot kërkesën e SPAK që në gjyqin ndaj Mediut të thirren për të dëshmuar plot 71 dëshmitarë, pjesa më e madhe e të cilëve janë familjarë të viktimave në tragjedinë e Gërdecit. Përveç Shkëlzen Berishës, në gjyq do të dëshmojë edhe Aldo Bumçi.
Lidhur me tragjedinë e vitit 2008 në fshatin Gërdec, ku nga shpërthimi i fabrikës së demontimit të armatimeve humbën jetën 26 persona, Mediu akuzohet veprat penale “shpërdorimi i detyrës”, e kryer në bashkëpunim dhe “shpërdorim i detyrës”, në bashkëpunim me subjekt ushtarak-kuadër komandues.
Sipas akuzës, në bashkëpunim me funksionarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes si dhe persona që kanë pasur cilësinë e ushtarakut kuadër komandues, Mediu ka nxjerrë disa akte nënligjore në kundërshtim me ligjin. Sipas SPAK, Mediu ka dëmtuar interesat e shtetit duke favorizuar dy kompanitë, “SAC”dhe “Albademil”.
Në gjykatë nuk do të thirren ekspertët e Pentagonit, të cilët ishin kërkuar të bëheshin pjesë e gjyqit me kërkesë të avokatëve të Mediut, gjithashtu janë rrëzuar dëshmitarët e thirrur nga pala mbrojtëse me avokat Dorian Matliajn.