Komisioni i Vetingut ka vendosur ditën e djeshme të përjashtojë për 15 vite nga drejtësia gjyqtarin e Tiranës, Artan Gjermeni. Vendimi ka ardhur pas dy dorëheqjeve nga detyra të gjyqtarit. Procesi i Vetingut për gjyqtarin e Tiranës ka nisur që në dhjetor të vitit 2019. Në 25 maj të vitit 2022, Gjermeni paraqiti pranë KLGJ-së kërkesën për heqje dorë nga statusi i magjistratit, pra duke kërkuar largimin nga drejtësi. Në 26 qershor të vitit 2022, gjyqtari Gjermeni ka paraqitur një kërkesë në KLGJ duket u dorëhequr nga dorëheqja, ndërsa një javë më pas ka kërkuar përjashtimin e komisioneres Etleda Çiftja, e cila ishte pjesë e trupit gjykues që po shqyrtonte dosjen e tij.

Komisioni i Vetingut e ka pranuar kërkesën për përjashtimin e zonjës Çiftja, e cila është zëvendësuar me Suela Zhegun. Në 14 shtator 2022, Artan Gjermeni ka njoftuar Komisionin e Vetingut se kishte kërkuar sërish dorëheqjen e tij në KLGJ. Nga ana tjetër, KLGJ kishte miratuar dorëheqjen e gjyqtarit që në 19 shtator 2022. Ditën e djeshme, në 14 tetor 2022, Komisioni i Vetingut ka vendosur ndërprerjen e procesit të Vetingut për Artan Gjermenin si dhe përjashtimin e tij për 15 vite nga e drejta për t’u bërë pjesë e drejtësisë.

Artan Gjermeni është një emër i njohur në sistemin e drejtësisë. Më 22 maj 2007, ish ministri i Drejtësisë, Ilir Rusmali, i propozoi KLD-së shkarkimin e Artan Gjermenit, pasi akuzohej për lidhje me bandën e Aldo Bares. Kërkesa për shkarkim erdhi pasi në disa media u publikua një bisedë, që pretendohej se ishte e përgjuar më 11 prill 2004, mes Aldo Bares dhe A.N, ku diskutohej mundësia e fitimit të tenderit për ndërtimin e rrugës Lushnjë-Fier dhe marrja e ekskluzivitetit për vendosjen e disa pikave të karburantit. U përfol gjatë fraza e Aldo Bares, ku pretendohej se thoshte që: “Dokumentet do t’i bëjmë nëpërmjet Gjermenit”.

Megjithatë, kërkesa e Ilir Rusmalit për të shkarkuar Gjermenin u rrëzua me 6 vota kundra dhe 5 pro nga KLD-ja

Dosjet e bujshme

Artan Gjermeni ka marrë pjesë dhe ka vendosur për dosje të bujshme. Gjermeni ishte pjesë e trupës gjykuese, e cila shpëtoi nga burgimi i përjetshëm Konstandin Xhuvani, i cili vrau 4 persona. Gjermeni ka qenë pjesë e trupës gjykues për çështjen e ish-guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, i cili i shpëtoi ndëshkimit ligjor, madje mori mbi 500 mijë USD dëmshpërblim.

Në maj të 2019, Gjermeni la të lirë Ervis Martinajn, një nga personat e përfshirë në përplasjen e ndodhur në ish-Bllok, më 4 tetor të vitit 2018, ku mbeti i vrarë Fabjol Gaxha. Në vitin 2018, Gjermani ka marrë pjesë në procesin kur u shpallën të pafajshëm Alma Radovicka, Gazmend dhe Gëzim Radovicka, të akuzuar nga prokuroria për vjedhjen e 2 mijë m2 tokë të disa shtetasve austriakë.

Në 2017, Gjermeni ka qenë pjesë trupës gjykuese që liroi nga qelia Muhamet Licin, i arrestuar si kreu i një grupi kriminal që gjobiste tregtarët e Shkodrës. Në vitin 2016, Artan Gjermeni shpalli të pafajshëm ish-drejtorin e Tatimeve në Tiranë Ismail Muça i akuzuar se në bashkëpunim me 7 persona të tjerë nëpërmjet skemës së mashtrimeve të tatimit mbi vlerën e shtuar kanë përfituar 6 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Artan Gjermeni shpalli të pafajshëm ish-kreun e Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, Zyhdi Dajti, pas 12 seancave si i pandehur nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, ndërsa të pandehur, së bashku me të, ishin dhe tetë inspektorë të ish-INUK-ut. Në janar të vitit 2022, Artan Gjermeni liroi nga burgu edhe katër të arrestuarit si të dyshuar për publikimin e dhënave personale të mbi 650 mijë qytetarëve.