Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Nano, nga qyteti i Dibrës ka deklaruar se po kryhen hetime intensive sa i përket ngjarjeve të fundit kriminale.

“Dua të sqaroj shumë shkurt se, jemi duke zhvilluar hetime të rëndësishme për të cilat do kemi rezultatet në kohën kur duhet të jepen këto rezultate”, tha Nano.

Sipas tij, policia është e angazhuar për çuarjen deri në fund të këtyre hetimeve.

Ai u pyet edhe për sjellët jo “të mira te efektivëve” me qytetarët.

Nano u përgjigj se do të merren masa ligjore ndaj tyre.

“Që prej marrjes së detyrës jam shprehur qartë për një qasje tjetër në raport me qytetarët”.

Nano ka theksuar se, lëvizjet e bëra në Policinë e Shtetit kanë disa arsye. Ai ka shtuar se për këtë merret mendim dhe analizohen të gjitha të dhënat.

“Policia e Shtetit vepron bazuar në kompetencën dhe bazuar në objektin e punës që ka. Detyra jonë është të kapim të gjithë personat që mbajnë armë pa leje. Vendime të tjera nuk i takojnë policisë”, shpreh Nano.

Ndër të tjera, ai ka ravijëzuar se synohet që në Shqipëri të kemi një polici evropiane, por nënvizoi se kjo nuk mund të arrihet për një ose dy ditë.

“Angazhimi është maksimal si nga Qeveria për të pasur një polici me më shumë mbështetje sa i përket trajtimit financiar. Ashtu edhe me teknologji për të dominuar të gjithë territorin dhe marrjen e informacioneve”, finalizoi Nano deklaratën e tij.