Nuk mund të mohohet fakti që Shqipëria i përket në BE”. Kështu u shpreh sot, 8 shtator, kreu i delegacionit të Bashkimit Europian në Tiranë, Silvio Gonzato.

“Të kesh një popullatë si kjo e Shqipërisë që është kaq entuziaste dhe pro BE do të jetë një kontribut për mbijetesën, por edhe zhvillkimin e këtij procesi”, tha ai gjatë konferencës së ambasadorëve “Diplo 2025”.

Gonzato theksoi se Shqipëria ka ecuri fantastike në procesin e anëtarësimit në BE. Pasi shprehu bindjen se vendi do të hapë të gjithë grupkapitujt këtë vit, Gonzato theksoi se problem mbetet perceptimi i disa vendeve anëtare për Shqipërinë.

Ai mori si shembull punën e Prokurorisë së Posaçme dhe agjencive të zbatimit të ligjit në Bashkimin Europian në goditjen e disa grupeve kriminale ndërkombëtare, që sipas ambasadorit, duhet theksuar gjithnjë e më shumë si shembull i një Shqipërie të re.

“Ka ngurrim, ankth në disa shtete të BE-së të cilat e shikojnë që krimi organizuar po destabilizon jetën e qytetarëve mes tyre brenda qyteteve europiane dhe tregon që duke parë Shqipërinë që në mënyrë proaktive po godet rrjetet e grupeve kriminale që janë rrjete kriminale ndërkombëtare, ky është një sinjal i qartë dhe i fortë që kemi të bëjmë me një Shqipëri të re dhe kjo duhet të theksohet gjithnjë e më shumë”, tha ambasadori.

Gonzato u shpreh se një sfidë tjetër është puna e bërë. Sipas tij, nuk mjafton të miratosh vetëm ligje, por duhet vërtetuar se ato janë vënë në zbatim dhe në mënyrë të saktë. Prandaj thelbësore për këtë është një administratë publike, profesionale dhe asnjanëse.

“Nuk mjafton të miratosh vetëm ligje. Duhet të vërtetosh që këto ligje janë vënë në zbatim siç duhet në mënyrë të saktë. Këtu gjërat ndërlikohen dhe prandaj duhen kapacitetet administrative. Këtu duhet një administratë publike profesionale që është asnjanëse, sa më shumë që të jetë e mundur, por po flasim për njerëz që punojnë në administratën publike dhe që rriten në karrierë në bazë të meritokracisë”, tha ai.

Gonzato vlerësoi edhe nismën e qeverisë për qeverisjen elektronike si të rëndësishme për të ndryshuar mendësinë e qytetarëve.

“Duhet të ndryshohet mendësia e qytetarëve. Shërbimet duhet t’u jepen nga qeveria dhe jo të paguajnë për to”, tha ai.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *