Drejtori i Policisë së Tiranës Ervin Hodaj në një konferencë për shtyp bëri publik emrat e katër të dyshuarve që janë tashmë të arrestuar nga operacioni “Patriot”. Ata janë: Fation Xhyliu , 33 vjec, lindur në Lushnje banues në Tiranë, ish punonjës në Shpsf “Rogat”; Ditjon Memlika, 31 vjec, lindur në Tepelenë dhe banues ne Tiranë, ish efektiv në forcat ushtarake; Neim Avdulaj, 28 vjec, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, ish ushtar profesionist në forcat ushtarake te Zallherrit dhe Ernest Kupa, me banim në Krujë, në një biznes privat.
Janë shpallur në kërkim shtetasit me iniciale M.A., dhe Ç.A. dhe po punohet për kapjen e tyre. Forcat e policisë po ushtrojnë kontrolle nga toka dhe ajri (me helikopter) në zonën e Farkës në Tiranë, ku ka disa informacione për fshehjen e dy të shpallurve në kërkim.
Drejtori i Policisë i Tiranës njoftoi edhe se është gjetur një sasi e monedhave të grabitura. Ai, pa dhënë shifra, tha se monedhat janë gjetur jo në një vend të caktuar, por në disa vende të fshehura. Garancinë se janë pikërisht këto paratë e grabitura, zoti Hodaj e argumentoi me faktin se “monedhat janë e njëjta prerje” me ato të Bankës, grabitur me 9 shkurt.
/Veritas.com.al/