Dy denoncime të forta ka bërë dje ish-ministri i Sali Berishës për shëndetësinë në fund të mandatit të dytë të PD-së në vitin 2013, Halim Kosova. Akuza të drejtuara ndaj 2 personazheve që janë sot ndër drejtuesit kryesorë të ekipit të Lulzim Bashës në PD dhe figura të rëndësishme për zgjedhjet e 25 prillit.
Mjeku Halim Kosova ka hedhur akuza të forta në drejtim të Tritan Shehut, që është aktualisht drejtues politik i PD në QArkun Gjirokastër, pasi akuzon se kur ai vetë drejtonte Ministrinë e Shëndetësisë në kohën e PD-së, Shehu ndërhyri te ai për një tender korruptiv me vlerë 500 mijë dollarë ilaçe për fëmijët me leucemi.
Sipas Halim Kosovës, i cili ka drejtuar Ministrinë e Shëndetësisë në fund të mandatit të dytë të Qeverisë Berisha në vitin 2013, nëse ilaçi blihej pa tender kushtonte 100 mijë dollarë. Ndërsa me tender vlera shkonte rreth 70 mijë dollarë. Ndërkohë, njeriu i Tritan Shehut i kishte kopsitur letrat për një vlerë rreth 660 mijë dollarë. Kjo, ka sqaruar Kosova, i shpjegon të gjitha sulmet që Shehu ka bërë në drejtim të tij.
“Ça ka Tritani me mua? Kur kam qenë ministër është po ky që ka ndërhyrë që unë të mbyll sytë për një aferë korruptive, për një ilaç për leuceminë për fëmijët në spitalin e pediatrisë nga 100 mijë dollarë që shkonte pa tender, se me tender shkonte 70 mijë ishin bërë gati letrat për 665 mijë, pra 565 mijë më shumë se sa çmimi pa tender. Të lutem shumë më tha, ky është i joni, ky punon për ne. Ma zgjidh një çikë hallin. I kam me mesazhe. Edhe më erdhi personi në zyrë, më tha jo kështu po ashtu, dhe në fund me tha të jap kaq para. I thashë vetëm një gjë: mos më vidh në sistemin shëndetësor sa të jem unë këtu se do të gjesh belanë. Dhe kuptohet që Tanit i mbeti hatri dhe me tha që ‘unë ta solla për të mbaruar punë dhe ti ma trembe”, ka deklaruar mjeku Kosova.
Ky skandal ka ndodhur në vitin 2013, në fund të mandatit të dytë të qeverisë Berisha. Halim Kosova ka qenë ministër nga muaji prill deri në shtator të 2013, dhe kjo praktikë që gjeti ishte përpiluar nga paraardhësi, Vangjel Tavo.
Një tjetër denoncim i fortë është bërë nga ish-ministri i Shëndetësisë në kohën e Partisë Demokratike, Halim Kosova teksa ka rrëfyer se si Genc Ruli, aktualisht pjesë e komisionit të vlerësimit të kandidatëve në PD (qe ka perjashtuar Halim Kosova), mbrojti një drejtor spitali në Gjirokastër që kishte bërë një lëvizje për të vjedhur 100 mijë euro. Ruli në atë periudhë ishte drejtuesi i listës së kandidatëve të PD-së në Gjirokastër në zgjedhjet e qershorit 2013, pra njeriu i besuar i Sali Berishës.
Më herët ai ka zbuluar ‘puçin’ që i bënë në PD, me në krye Lulzim Basha ku zbuloi mesazhin e këtij të fundit ku i njoftoi se Komisioni i Vlerësimit të kandidaturave e kishte përjashtuar. Ai shtoi se kishte disa projekte për shëndetësinë dhe për këtë ishte i gatshëm edhe të ndryshonte edhe ekip, pa përjashtuar mundësinë e bashkëpunimit me Edi Ramën, nëse ky e fton. Po Basha ka preferuar Tritan Shehu.