TIRANË-  Pritjes i erdhi fundi. Këtë të enjte u përurua Xhamia e Namazgjasë në Tiranë, e cila do jetë një vend i ri lutjesh për besimtarët myslimanë.

Në një ceremoni të posaçme, organi i kultit u inaugurua me prerjen e shiritit nga Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

“Me emrin e Allahut, presim shiritin e hapjes së Xhamisë së Namazgjasë”, tha presidenti turk.

Në hyrje të kësaj ceremonie, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama tha se “erdhi dita e çeljes së këtij tempulli të adhurimit të krijuesit të botëve, kaq i shumëpritur nga komuniteti mysliman”.

Të shumtë ishin besimtarët myslimanë, të cilët ishin mbledhur në këtë ceremoni të shumëpritur. Xhamia që ka qenë ëndërr 100-vjeçare e myslimanëve, në të cilën 10,000 besimtarë do të mund të falin namazin në të njëjtën kohë.

Në vizitën e tij zyrtare, presidenti i Turqisë pati takime me krerët më të lartë të shtetit, ndërsa tha se Xhamia e Namazgjsë është një “dhuratë e popullit turk” për vëllezërit dhe motrat myslimane në Shqipëri.

“Përsëri sot së bashku me mikun tim të dashur, zotin Rama, do të hapim Xhaminë e Namazgjasë, e cila është dhuratë e popullit turk për motrat dhe vëllezërit e tyre myslimanë në Shqipëri. Falënderoj gjithë ata që kontribuuan në këtë proces. Xhamia më e madhe në Ballkan, do të jetë vend adhurimi ku do të lulëzojë ndjenja e paqes dhe unitetit, vlerat supreme të islamit”, tha Erdogan.