Gjenerallejtënant Brett Sylvia është shkarkuar nga detyra si drejtues i Strategjisë, Planeve dhe Politikës në Shtabin e Përbashkët të Ushtrisë Amerikane, një prej pozicioneve më të rëndësishme në planifikimin ushtarak të Pentagonit, i njohur si “J5”.
Vendimi është marrë nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, sipas një zyrtari të Departamentit të Mbrojtjes.
Shkarkimi vjen në një moment të ndjeshëm për sigurinë ndërkombëtare, ndërsa Presidenti Donald Trump po shqyrton mundësinë e ndërmarrjes së sulmeve të reja amerikane kundër Iranit, në kuadër të konfliktit që, sipas raportimeve, ka vijuar prej tetë muajsh.
Sylvia është gjenerali i dytë që largohet nga kjo detyrë gjatë mandatit të Hegseth në krye të Pentagonit. Paraardhësi i tij, gjenerallejtënant Joseph McGee, u detyrua të tërhiqej nga posti në tetor të vitit 2025.
Sipas një zyrtari të Departamentit të Mbrojtjes, i cili foli në kushte anonimiteti për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, deri më tani nuk është emëruar një pasardhës për Sylvia-n dhe nuk është bërë e ditur arsyeja zyrtare e shkarkimit.
Lajmi u raportua fillimisht nga revista amerikane “The Atlantic”. Largimi i tij i shtohet listës së ndryshimeve në radhët e oficerëve të lartë ushtarakë gjatë drejtimit të Pentagonit nga Pete Hegseth.
Komente