Ende nuk dihet zyrtarisht shkaku i intoksikimit të qytetarëve në Krujë pasi përgjigjja e analizave të mostrave të ujit të marra nga Kujdesi Shëndetësor në Krujë dalin të mërkurën, ndërkohë që ato të marra nga Instituti i Shëndetit Publik vonojnë edhe dy ditë të tjera.

 Por dyshime të forta ka në lidhje me intoksikimin e ujit të pijshëm me të cilin furnizohen banorët pasi shumë pranë depos së ujit ndodhet një stallë bagëtish, fekalet e të cilëve mund të kenë depërtuar në brendësi të depos.

Qytetarët e Krujës vijojnë të shfaqin problem shëndetësor si gastroenterite, të vjella e diarre.

 Vetëm gjatë të martës janë paraqitur 30 pacientë, një pjesë e të cilëve fëmijë dhe adoleshentë.

Pacientët i vizitoi ministrja e Shëndetësisë, e cila tha se nëse do të jetë e nevojshëm edhe spitali i Durrësit do të vihet në dispozicion.

Përveç ujit është duke u hetuar edhe për disa mostra ushqimesh. Por dyshimet më të forta mbeten ato të intoksikimit të ujit të pijshëm.