Njoftimet që vijnë nga aksioni për hetimin e helmimit mbi mitingun e Opozitës në çelje të fushatës janë thuajse zero; megjithëse po bëhen përpjekje për të treguar se ‘po punohet pa pushim’. Drejtimi që ka marrë hetimi duket se do t’i çojë punët në ‘shkaqe natyrore’ ose ‘faj i askujt’.

Disa lajme thonë se shkak i helmimit mund të ketë qenë ndriçimi i vendosur nga organizatorët e mitingut; ndërsa lajme të tjerë thonë se po mblidhen qentë e rrugës për të bërë eksperimente.

Policia e Shtetit ka reaguar në lidhje me ngjarjen ku 140 mbështetës të PD-së u helmuan pas mitingut elektoral që mbajti opozita, ndërsa bën me dije se ka nisur hetimet.

“Në lidhje me ngjarjen në mitingun e PD policia ka referuar materialet në prokurori për nenin 201 te Kodit Penal që është për ndotjen e ajrit. Ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet. Ka dyshime se simptomat militantëve tu kenë ardhur edhe nga ndriçimi i fortë”, thuhet në njoftimin e Policisë.

/Veritas.com.al/