Ambasadori i BE-së në Shqipëri, Silvio Gonzato ka folur lidhur me hetimin e nisur nga SPAK për nr. 2 të qeverisë, Belinda Balluku.
Ambasadori shpjegoi se BE respekton prezumimin e pafajësisë si një nga parimet kryesore që rregullon gjyqësorin, duke shtuar “nuk mund të fillosh të dënosh njerëzit përpara se të kenë ndodhur hetimet dhe procedurat gjyqësore”.
Gonzato shtoi se është e rëndësishme që mes parlamentit dhe ekzekutivit të ketë dialog, përcjell A2 CNN.
“Ne kemi një politikë për të mos komentuar çështjet në hetim. Sepse një nga parimet që rregullon gjyqësorin është prezumimi i pafajësisë. Pra, nuk mund të fillosh të dënosh njerëzit përpara se të kenë ndodhur hetimet dhe procedurat gjyqësore. Por, në përgjithësi, mendoj se është e qartë se, siç e thotë raporti, parlamenti nuk ushtron mjaftueshëm kontroll mbi veprimet e ekzekutivit. Dhe për t’u kthyer te ajo që thatë në lidhje me kontrollin edhe të gjyqësorit, nuk do ta quaja atë kontroll sepse gjyqësori, siç thashë, është i pavarur. Por autoritetet gjyqësore, SPAK, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, Këshilli Gjyqësor, ata raportojnë. E dini, ata raportojnë rregullisht në parlament. Dhe mendoj se është e rëndësishme që këto debate të zhvillohen, që anëtarët e parlamentit t’i pyesin këto institucione, a po bëni mjaftueshëm për qytetarët? Por që ata gjithashtu t’i dëgjojnë kërkesat e tyre, sepse këto institucione ndonjëherë kërkojnë më shumë mjete, kërkojnë më shumë struktura, për më shumë, e dini, për disa rregullime të veçanta të ligjeve që rregullojnë funksionimin e tyre, etj. Pra, është një dialog që duhet të zhvillohet dhe është shumë e rëndësishme që të zhvillohet. Pra, nuk më pëlqen termi monitorim sepse nuk mendoj se parlamenti duhet të monitorojë institucionet e pavarura, por duhet të ketë një dialog midis të dyjave”, tha ambasadori i BE
Komente