Pas një nate nën pushtetin e flakëve, Himara e ka kaluar rrezikun dhe këtë mëngjes situata e zjarrit duket më e përmirësuar.
Që në orët e para të ditës ka nisur ndërhyrja me helikopter nga ajri, ndërsa vijon beteja me flakët për shuarjen e tyre.
Gjatë gjithë natës, qindra efektivë të Forcave të Armatosura dhe të shërbimeve zjarrfikëse, me dhjetëra mjete, punuan pa ndërprerje, duke arritur rreth mëngjesit të vënë flakët nën kontroll dhe për të mos lejuar përhapjen e tyre drejt qytetit.
Zjarri shpërtheu mbrëmjen e së premtes në lagjen nr. 1, pranë zonës së Bypass-it në Himarë. Por shumë shpejt, flakët, të favorizuara nga era dhe thatësira, zbritën nga kodra dhe iu afruan zonave të banuara.
Banorët e qytetit tregojnë momentet e vështira që kaluan, ndërsa flakët u afroheshin pranë shtëpive.
Gjashtë banesa u dogjën, tre prej tyre të banuara. Por banorët u evakuuan në kohë.
Edhe shumë turistë të akomoduar në hotele apo njësi të tjera u larguan drejt vendeve më të sigurta, për shkak të rrezikut nga flakët.
Zjarri që përfshiu Himarën dogji sipërfaqe të mëdha me ullishte.
Komente