Kryeministri Edi Rama ka prezantuar nismën për krijimin e një sistemi unik të gjobave, i cili synon të dixhitalizojë procesin e vendosjes, njoftimit, pagesës dhe apelimit të tyre.
Gjatë prezantimit, Rama deklaroi se qytetarët do të njoftohen menjëherë përmes platformës e-Albania dhe me mesazh në telefon, sapo të vendoset një gjobë.
Kryeministri bëri të ditur se një tjetër lehtësi do të jetë mundësia e pagesës së gjobave drejtpërdrejt nga telefoni, si dhe apelimi i tyre në mënyrë elektronike.
“Ndërkohë që të gjitha institucionet që ju drejtoni, mund tani të hyjnë në një epokë të re të vendosjes së gjobës nëpërmjet mjeteve të teknologjisë digjitale, gjë që sjell në radhë të parë njoftimin e menjëhershëm të qytetarit përmes platformës “e-Albania”, e cila njëkohësisht çon në mënyrë automatike një mesazh në telefonin e qytetarit. Nga ana tjetër, të gjitha gjobat mblidhen në një bazë të dhënash dhe çdo qytetari i jepet mundësia që të kontrollojë tek mesazhet e tij në “e-Albania” gjobat që ka”, tha Rama.
“Po ashtu janë edhe kategorizimet e gjobave në databazë, që janë shumë të rëndësishme qoftë për institucionet, qoftë për Inspektoratin e Përgjithshëm për të parë se si ato janë të ndara në gjoba aktive, në gjoba të paguara, në gjoba të apeluara. Ndërkohë do të bëhet shumë më e lehtë që gjobat të mund, po ashtu, të paguhen drejtpërdrejt nga telefoni dhe të apelohen po ashtu në mënyrë të drejtpërdrejtë”, vijoi ai.
“Ajo që besoj është e rëndësishme të nënvizohet, është që nuk ka më një proces gjobitjeje pa gjurmueshmëri. Garantohet një rrjedhë e njëjtë, një numër unik, bazë ligjore e qartë për të gjithë dhe identifikohen të gjithë punonjësit që vendosin gjobat, gjë që i jep mundësi për institucionet dhe për drejtuesit e institucioneve që të shohin si në një hartë të gjitha proceset dhe po ashtu edhe sjelljen e të gjitha burimeve të tyre njerëzore”, tha kreu i qeverisë.
“Hapi tjetër është krijimi i regjistrit kombëtar të gjobave, që përmbyll një proces jo të lehtë”, u shpreh kryeministri.
Në kuadër të kësaj nisme, Rama njoftoi gjithashtu se punonjësit e policisë dhe inspektorët e terrenit do të pajisen me kamera trupi, të cilat do të integrohen në sistemin e inteligjencës të ndërtuar në qendrën e monitorimit.
Komente