Holanda ka ndryshuar qëndrimin e saj në lidhje me hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Çështjet e Jashtme u diskutua sot raporti më i ri i vlerësimit për vendin tonë.

Ministrja e re e Jashtme holandeze Singrid Kaag ka vlerësuar progresin e Shqipërisë, duke nënvizuar se ky shtet ballkanik së fundmi ka bërë përparim me reformat në temat prioritare dhe në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Kaag ka shtuar se konferenca e parë ndërqeveritare me Shqipërinë duhet të ndodhë sa më shpejt.

Pas këtij lajmi ka ardhur edhe reagimi nga Kryenegociatori Zef Mazi. Ky i fundit ka përshëndetur këtë zhvillim të rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë duke shtuar:

“Sot Parlamenti holandez miratoi mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare për Shqipërinë. Parlamenti është dakord me propozimin e ministres së Jashtme holandeze duke njohur progresin e bërë. Jam shumë i gëzuar për këtë lajm të mirë për vendin tonë. Kjo është një provë tjetër se Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kërkesat dhe ka bërë përparim substancial në të gjitha fushat” – u shpreh Kryenegociatori Zef Mazi.

Pas qëndrimit pozitiv të shprehur nga qeveria holandeze, por dhe deklaratave të kryediplomatëve të vendeve si Gjermania, Austria por dhe Italia duket se Shqipëria do t’i hapet rruga në mbledhjen e 22 Qershorit të Këshillit Europian për çeljen e kuadrit negociues që do të pasojë konferencën ndërqeveritare.

VERITAS.COM.AL