Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, kanë marrë pjesë në ceremoninë e homazheve të mbajtura në nder të dëshmorëve të rënë në Luftën Nacional Çlirimtare, ku 77 vjet më parë Shqipëria u çlirua nga mësymja naziste.

Prezent, në ceremoninë e zhvilluar në Varrezat e Dëshmorëve, ishin dhe figura të shquara të politikës shqiptare.

Më 29 Nëntor, 77 vjet më parë, Shqipëria u bë shtet sovran dhe i lirë.

 

77 vjet më parë, Shqipëria çlirohej nga pushtimi

Pjesa më e madhe e Shqipërisë ishte e çliruar dhe Shkodra, ishte “fortesa” e fundit për t’u marrë, në mënyrë që të përmbushej misioni. Pa të, vendi i shqiponjave nuk mund të quhej i çliruar.

Kryeqendra veriore e Shqipërisë ishte edhe një lloj kryeqendre shpirtërore e vendit, si dhe kryeqytet në lashtësinë e saj ilire.

Armiku e kishte përgatitur mbrojtjen me rreth 3 mijë deri në 4 mijë ushtarë të grumbulluar. Rreth 2 mijë e 500 bashkëpunëtorë të tjerë të tyre gjendeshin po ashtu në Shkodër.

(Grup partizanësh)

Sipas informacioneve të kohës, sugjestionet janë se shumica prej tyre ishin kuislingë, të cilët kishin dezertuar Tiranën pas çlirimit të saj më 17 nëntor 1944.

Të mbyllur në Shkodër, sipas dokumenteve historike, kuislingët kishin krijuar një “qeveri” dhe disa të ashtuquajtura “forca të armatosura kombëtare”.

Së bashku me hitlerianët, ata kishin vendosur në qytetin verior një regjim perimetral territori.

Në konceptin operativ dhe taktik gjermanët qenë në Shkodër sa në tërheqje aq dhe në mbrojtje.

Shkodra kishte si fortifikim natyror liqenin, Drinin, Bunën dhe Kririn, po ashtu si nga ana tokësore kodrat e Berdëc, Beltojës, Bardhajve dhe Kalanë e Shkodrës.

Festime për çlirimin e Shqipërisë

Komanda e përgjithshme e Ushtrisë Nacionalçlirimtare Shqiptare nga ana tjetër, kishte ngarkuar shtabin e korparmatës së III-ë, komanduar nga dy kolonelë, Tahir Kadare dhe Tuk Jakova, për drejtimin e mësymjes përfundimtare kundër ushtrisë gjermane.

Sipas planit, do të ishin një sërë brigadash e divizionesh pjesë e sulmit. Në mbështetje të tyre, edhe grupi Partizan i Shkodrës. Në tërësi, do të ishin 6 mijë partizanë të ngarkuar me marrjen dhe çlirimin e Shkodrës.

Në disa ditë u shtri aksioni i partizanëve në Shkodër, por çasti vendimtar, ishte mesnata e 28 nëntorit 1994.

Gjatë asaj mesnate, goditjet filluan në të gjitha drejtimet. Ura e Muxharit ishte një ndër pikat kyçe – e cilësuar si porta veriore e Shkodrës. Një prej batalioneve shkëputi nga forcat kryesore praparojën e kolonës gjermane, kapi robër 30 ushtarë dhe shkatërroi disa prej mjeteve të tyre.

Të ndihmuar nga njësitë guerile dhe qytetarët, Shkodra, mëngjesin e 29 nëntorit, u zgjua e çliruar.

Fill pas kësaj ngjarjeje, komanda e përgjithshme në Tiranë do të njoftohej me radiogram për çlirimin.

29 nëntori, jo vetëm Shkodrën, por zyrtarisht, të gjithë Shqipërinë, e gjeti të çliruar nga pushtuesi nazi-fashist.

Si e tillë, Shqipëria do të ishte vendi i vetëm i Ballkanit, i cili do të çlirohej me përpjekje vetjake, pa ndihmën e Ushtrisë së Kuqe ruse.  /Albanianpost.com