“Humba edhe gruan edhe fëmijën. Ata po shkonin në punë, nuk e di çfarë ndodhi, humba gjithçka!”.

Me këto fjalë, bashkëshorti i 43-vjeçares dhe babai i 21-vjeçarit që humbën jetën mëngjesin e sotëm në Serres të Greqisë në aksident rrugor pas përplasjes me një kamion, e përshkroi për ERT humbjen e paimagjinueshme që po përjeton.

Ngjarja tragjike ndodhi në mëngjes, në rrugën provinciale Amfipolis – Drama, pranë Paleokomit, Serres.

Brenda pak sekondash, burri humbi gruan dhe djalin e tij, të cilët kishin dalë nga shtëpia e tyre herët në mëngjes për të shkuar në punë.

Shqiptari shpjegoi se ishte përpjekur t’i telefononte disa herë gjatë asaj kohe, por askush prej tyre nuk i ishte përgjigjur, teksa përlotet në rrëfim.

43-vjeçarja dhe 21-vjeçari udhëtonin në të njëjtën makinë, me të riun në vendin e shoferit dhe nënën e tij në vendin e pasagjerit. Rreth orës 07:30, makina u përplas ballë për ballë me një kamion, duke rezultuar në humbjen e menjëhershme të jetës nënë e bir.

Ata punonin si agjentë imobilarë në një biznes pasurish të paluajtshme që kishin. Rrethanat e sakta të aksidentit po hetohen nga autoritetet kompetente.

Çfarë tha shoferi i kamionit?

Shoferi 56-vjeçar i kamionit dha versionin e tij të momenteve para përplasjes fatale.

Duke folur për ‘Mega’, ai pohoi se po ngiste normalisht në korsinë e tij me një shpejtësi prej afërsisht 75-80 km/orë, kur papritmas pa se makina me të cilën udhëtonin nëna dhe djali kishte humbur kontrollin dhe po kalonte në drejtim të kundërt.

“Normalisht jam në korsinë time, në 75 deri në 80 kilometra, sepse kaq duhet të shkosh, nuk mund të shkosh më tej dhe papritmas një makinë vjen drejt meje, ka humbur kontrollin nga ana e sipërme, nga Souli i vogël”, tha ai.

Kamioni kishte edhe një kamera që filmoi momentin e përplasjes fatale në rrugë, informon “Protothema“.

Siç pretendoi, u përpoq të lëvizte majtas për të shmangur përplasjen, por pa ia dalë:

“Ka humbur kontrollin, ka shkuar në drejtim të kundërt me mua, po përpiqet të kthejë timonin dhe unë po kërkoj të shkoj majtas që të shpëtoj, nuk e arrita dhe më përplasi dhe ndodhi ajo që ndodhi”, shtoi ai.

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *