Frrok Çupi/

Më i humburi nga këta që humbën shpresat dje në mbrëmje, akoma pa hyrë data 20 dhjetor, ishte Andrew Mark Cuomo. Cuomo është guvernator i New Yorkut. Po çfarë e lidh me tanët këtu?- mund të pyesin ca kritizerë. Ja cilat janë lidhjet: E para, se nga emri duket si një katolik shqiptar; ndërsa ky është Katolik Roman italian. Por edhe ka lindur në Queens, ku ka mijëra shqiptarë etnik. Ka edhe një tjetër të “përbashkët” që është “Albany”. Shqiptarë të pa ditur, “Albany” e lidhin me Shqipërinë, edhe kur është në Amerikë. Cuomo ka studiuar në Albany Law School…

Por lidhja e vërtetë me tanët këtu, bëhet me të njëjtin fat: Si Cuomo në New York, edhe këtu në Shqipëri, mbrëmë i mbyllën shpresat pas shpalljes së fitores së Donald Trump si President i 45 i Shteteve të Bashkuara. Këtu ka shumë njerëz, madje mund të jenë shumicë, që shpresonin të mos fitonte Trump. Që nga maja e politikës dhe e shtetit këtu  ka armiq të vërtetë të presidentit Donald Trump. Kryeministri i Republikës e quajti “turp për Amerikën” në qoftë se fiton Trump! Por jo vetëm ky: Gazetarë, nëpunës qeverie, opozitarë, hallexhinj pa bukë…  Edhe në takimin që bënë pesë këshilltarët e Trump në Tiranë, me “Miqtë e Trump” më datë 6 Dhjetor, pikërisht kjo u tha: “Këtu ka shumicë që kishin shpresë të mos fitonte Trump”. Sigurisht fjalën “shumicë” e përdorën për kupolën e shtetit dhe të establishmentit.

Çfarë humbi Cuomo e çfarë humbën këta këtu?

Andrew Cuomo, dje gjithë ditën, teksa ishte mbledhur Kolegji Zgjedhor dhe do të “therte” Donald Trump- sipas tij e të tjerëve- ky rezervon 200 dhoma në hotelet e Washingtonit dhe fton miq nga Italia e nga Amerika për të festuar “humbjen e Donald Trump”. Ja, kaq humbi Cuomo, senatori i New York; shumë shumë- 10 ose 20 mijë dollarë, sepse sipas medias amerikane “dhomat ishin me çmim jo të lartë”.

Ndërsa këtu, ata që kishin shpresuar se dje, e hënë, 19 Dhjetor, Donald Trump do të rrëzohej në Kolegjin Zgjedhor të Shteteve të Bashkuara, humbën orientimin. Humbja e orientimit është më e madhja në jetën e njeriut dhe të shteteve.

Dje, të gjithë kanë qenë si të dehur, ku t’i çonin këmbët. Vetëm kryeministri, që herë të tjera nuk le rast pa treguar se është “i dehur”, dje u mbyll në zyrë (a në shtëpi) dhe u grind në Twitter me popullin që i kërkonte hesap për viktimat e Sirisë: “Po ti, ore, merresh me ambasadorin e Rusisë e nuk e çan kokën për fëmijët në Aleppo?!”. (Ambasadori i Rusisë në Ankara, Andrey Karlov u vra dje në atentat)

Ky iu kthehej e u thoshte: “Po mua më duhet ta vlerësoj këtë, pa edhe për sirianët më dhemb shpirti!”. Puna e tij si i dëshpëruar gjithë natën pse fitoi Trump, ishte si të fshihte fytyrën në mëngjes, të mos e kuptonin amerikanët e rinj që vijnë në administratë. Kjo- njëra. E dyta, i pasigurt se anën e kujt të mbajë mes tre elementesh: Turqi, Rusi, Siri, shkruante “mirë” si për njërën palë edhe për tjetrën. Por ky të paktën nuk doli sheshit, Amerikën nuk e “prek” më.

Të dehurit e tjerë dolën sheshit:

Kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHISH), Vishe Ajazi, lëshoi bombën e vizitës së Drejtorit të CIA-s në Tiranë. John Brennan kishte vizituar Tiranën në 6 Dhjetor, ndërsa ky i këtushmi e lajmëron vizitën 13 ditë më vonë, natën e 19 dhjetorit- duke u gdhirë 20. E lajmëron si një ngjarje famoze. Shiko çfarë shkruan:  “Vizita e suksesshme e datës 06.12.2016, e Drejtorit të CIA, z. John O. Brennan…  Takimet e zhvilluara u karakterizuan nga fryma e bashkëpunimit miqësor”. ..

Bëhet pyetja: Pse vallë natën mes datës 19 dhe 20 të Nëntorit? Deklarata për takimin “ e suksesshëm me Brennan”, u lëshua pikërisht natën kur “do të fundosej” Donald Trump?!…  Sepse- sipas Brennan- ishte e sigurt se do të fundosej, ose të paktën kshtu iu kishte thënë aleatëve. John Brenan ka punuar me zellin më të madh që Donald Trump të fundosej. Është zyrtari amerikan më dinamik, më i pamëshirshëm kundër Donald Trump. Brennan është njeriu kryesor që thuri intrigën e “ndërhyrjes së Rusisë” në zgjedhjen e Donald Trump, aq sa edhe FBI e hodhi poshtë si të pa bazë. Presidneti i Rusisë Putin dhe presidenti amerikan Obama, u detyruan të përdorin “Telefonin e Kuq” për të ulur sado pak tensionet mbi “përzierjen Ruse” në zgjedhjet e 8 Nentorit në Amerikë. “Hakerimi i zgjedhjeve” nga rusët  ishte karta e fundit e Brennan, e ndërtuar bashkë me Clintonët, për ta zhvlerësuar zgjedhjen e Trump dhe për ta çuar presidentin e zgjedhur në fund të pusit. Kur Brennan erdhi në Shqipëri për vizitë, vëzhguesit e Amerikës e panë vizitën me dyshim të madh, sepse ishte në “breg” të Rusisë. Një nga analistët më të njohur, Joseph Farah ka shkruar: “Ky është ose fëmijë, ose budalla…”. Me siguri Brennan e kishte urdhëruar Vishe Ajazin që ta lëshonte deklaratën mbrëmë, natën e “fundosjes” së Trump. Mirë se Brennan është konsideruar “o fëmijë, o budalla”, po ky i SHISH çfarë është!? Thjesht i dëshpëruar pse fitoi Trump?! Nuk e besoj, ka një lidhje me intrigat e Brennan.

…Të dehur që nuk pinë kurrë alkool… Presidenti i Republikës, Nishani, sot herët, nuk dihet nëse e kishte marrë vesh fitoren e Trump, u nis për në Turqi, në takim me presidentin Erdogan. Ç’është kjo vizitë, e panjoftuar, te Erdogan? … Vallë, edhe zoti Nishani- kaq i dëshpëruar saqë e kërkon ta mbysë dëshpërimin në Bosfor?! Nuk mund të mendosh se presidenti “merr lugën” për aty ku bëhet çdo ftesë. Por mendja të shkon se edhe kjo vizitë ka një lidhje me CIA-n e Brennan. (Sepse tani ka dy CIA: ajo e Brennan që po ikën dhe Mike Pompeo që është zgjedhur Drejtor i CIA-s nga Donald Trump). Ky është momenti që vetëm në Turqi nuk duhej të shkonte Presidenti. Dje në Stamboll u vra ambasadori i Rusisë, Andrey Karlov, dhe po e krahasojnë me  vrasjen e Franz Ferdinandit në Sarajevë në vitin 1914 që shkaktoi Luftën e Parë. Presidenti i Shqipërisë është i vetmi burrë shteti i huaj në Turqi sot. Në Bosfor sot, pas vrasjes, janë lidhur nyjet e shkaqeve dhe të zgjidhjeve për gjakderdhjen e Sirisë; aty është Rusia, Turqia, Iran dhe Assad. Cili është roli i Presidentit të Shqipërisë? Turqia tani ndodhet para dilemës: “ta mbrojmë pushtetin me gjak, o ta dorëzojmë!”- sipas analistëve… Dje në mbrëmje pritej ngjarja e Amerikës, që me Trump si president bën ndryshime të mëdha në akset botërore. Shqipëria a e ka aleatin kryesor strategjik Amerikën?. Vizita e Presidentit e vë në dyshim këtë, në qoftë se nuk është imponuar nga CIA e Brennan…  Si humb njeriu drejtpeshimin nëpër Bosffor, si i dehur? Veç për një natë që “i zu jashtë”!

Media e dehur. Sot në mëngjes disa media u zgjuan me lajmin se “atentatori i ambasadorit Rus” në Turqi, ishte shqiptar(!). Edhe fotografja e ekspozitës që u plagos (!). U çudita. Paska qenë një natë e rëndë për këta që kishin shpresa të kota! Media, thjesht me naivitet, ka mbartur qëllimin e keq të qeverisë për ta shpallur Shqipërinë” një vend ku veprojnë faktorë të tretë”. I treti është shpallur terrorizmi, sipas bisedës së kryeministrit me zonjën Merkel. Media “patriotike” kthehet në thes dhe pranon çdo sajesë që e sjell “era” në redaksi. Lajmi se “atentatori ishte shqiptar” e vërteton tezën djallëzore se këtu terrorizmi është “genetik” dhe i pranishëm. Domethënë Amerika dhe Europa lihen jashtë si faktorë. Por puna është te Donald Trump; ky- jashtë!

Deri sot në mëngjes kishin shpresuar…

Mëngjesi sot i ka trazuar mendjet e këtyre që kishin shpresa për “fundosjen”. E përdora fjalën “fundosje” si anti-part të fjalës “swamp” që përdori Trump gjatë zgjedhjeve. “Swamp” ishte ky moçali që sapo thashë.

/Veritas.com.al/