IKMT ka zbarkuar sërish mëngjesin e sotëm në “sarajet” e Irfan Hysenbelli për të vijuar aksionin për spastrimin e hapësirës publike të zaptuar nga zengjinët e “Prestige Restort”.

Mësohet se, pas heqjes së blloqeve të betonit që kishin bllokuar bregdetin e Golemit, prishjen e nje prej pishinave te resortit, spastrimin e Uzinës Autotraktor nga mediet e Fanes për shkak se – megjithëse të vendosura në pronë shtetërore, “Fokus Media Grup” prej 6 vitesh nuk i paguante shtetit qira – IKMT është rikthyer sërish në “Prestige Restort” për të përfunduar punën e nisur: shkatërrimin edhe të pishinës tjetër të ndërtuar pa leje nga “Irfani i Tmerrshëm”.

Me mbërritjen e fadromave për të rrafshuar ndërtimin pa leje, i gjithë ambienti i jashtëm i resortit është mbushur me forca të shumta policie, punonjës dhe përfaqësues të “Prestige Restort”, ndërsa mediet “e lira” të Fanes transmetojnë live aksionin, duke pretenduar se deri dje qeveritarët uleshin të hanin e pinin, si dhe shijonin ambientet e resortit, pa pasur asnjë problem me shkeljen e ligjit dhe dëmet që i bëheshin turizmit shqiptarë nga këta sharlatanë, që sot qëndrojnë si “horra” para ligjit.

Vlen të theksohet se ditën e djeshme, vetë Irfan Hysenbelli publikoi një dokument përmes të cilit tregonte ligjshmërinë e ndërtimit të pishinave në “Prestige Resort”, pretendim ky që u hodh poshtë nga  Ministria e Brendshme. Përmes një njoftimi, ky institucion sqaronte se leja në fjalë ka qenë me kusht që vetëm kur të plotësoheshin dokumentacionet tekniko-ligjor dhe të paguheshin taksat përkatëse do të niste ndërtimi, kushte këto që nuk janë plotësuar nga Hysenbelliu. Pra,  Hysenbelliu i detyrohet shtetit dhe qytetarëve ti kthejë plazhin publik që ka zaptuar, si edhe borxhin financiar nga mospagimi i taksave.

“Pretendimi i mediave të zotit Irfan Hysenbelliu se ndërhyrja e sotme e IKMT është e paligjshme pasi resorti paska leje të miratuar është një tjetër manipulim i opinionit publik. Dokumenti i nxjerrë në mediat në fjalë me firmën e kryeministrit Edi Rama si kryetar i KKT provon të kundërtën e pretendimit. Leja është një leje me kusht, ku thuhet qartësisht se dokumenti i lejes së ndërtimit do të jepet vetëm pasi tē plotësohet dokumentacioni tekniko-ligjor dhe të paguhen taksat përkatëse. Asnjëri nga kushtet nuk është plotësuar dhe sot zoti Irfan Hysenbelliu i detyrohet shtetit dhe qytetarëve kthimin e sipërfaqeve të zaptuara si edhe borxhin financiar nga mospagimi i taksave”– njoftonte Ministria e Brendshme, duke insistuar se aksioni i IKMT-së ndaj bizneseve të Fanes, është i ligjshëm.