Ish-deputeti i PS, Jurgis Çyrbja është arrestuar këtë të diel me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, sipas burimeve jo zyrtare të gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.

Çyrbja është i pandehur për shpërdorim detyre pas kallëzimit të deputetit demokrat Edi Paloka për abuzime me detyren kur ishte drejtor i Kadastres së Durrësit.

Gjithashtu Çyrbja dyshohet se gjatë zgjedhjeve të vitit 2021 ka ndërhyrë që të jepeshin legalizime për çështje votash.

Pas akuzave dhe thirrjes në SPAK, Çyrbja vendosi që ta linte mandatin e deputetit.

Ai akuzohet se ka shpërdoruar detyrën me firmat që ka hedhur në 4 raste mbi pronësinë e gati 25 mijë metra katrorë tokë në zonën e Rrashbullit në Durrës.

Hetimet ndaj tij lidhen me postin e drejtorit të hipotekave në këtë qytet, një detyrë që e mbajti deri në 2017 kur edhe mori mandatin e parë në parlament.

I kallëzuar prej vitit 2021, ai këmbënguli se nuk ka shpërdoruar detyrën dhe se nuk kishte kompetenca të kontrollonte praktikat që i delegoheshin nga vartësit.