TIRANË- Një i burgosur është arratisur nga burgu i Shën Kollit në Lezhë. Ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të para të mëngjesit të kësaj të marte. Bëhet fjalë për Daut Laze, i dënuar për dhunë në familje.

Gazetari i ABC News, Gjergji Figuri, raporton se ai është larguar nga dhoma e infermierisë, ku kishte shkuar të merrte mjekim dhe më pas dyshohet se ka kapërcyer murin rrethues.

Laze është arrestuar më 16 nëntor 2021. Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë në nëntor të 2024, kishte vendosur ndaj tij masën mjekësore “Mjekim i detyruar në një institucion mjekësor”.

“Shtetasi Daut Laze vuan nga një sëmundje psiqike dhe konkretisht nga çrregullimi psikopatik i pa specifikuar, tip paranoid, sëmundje që ka filluar shumë kohë më parë. Ai vuan nga një çrregullim kronik që prezantohet në forma dhe ecuri të ndryshme, por që kërkon trajtim dhe ndjekje të rregullt në Psikiatri. Shtetasi Daut Laze ka qenë nën ndikimin e sëmundjes para, gjatë dhe pas kryerjes së veprës penale, në gjykim të udhëhequr prej deluzioneve paranoide, duke mos qenë në gjendje të kuptojë drejt dhe kontrollojë veprimet e tij, pa kuptuar se po kryen një vepër penale apo pasojat që rrjedhin prej saj”, thuhet në vendimin e gjykatës.

Në këtë institucion mbahen të burgosur dhe paraburgosur që vuajnë nga probleme të shëndetit mendor. Grupi hetimor po kryen verifikimet për zbardhjen e rrethanave

Komente

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *