
Frrok Çupi
Ksenofon Konomin nga Vlora e kam në sy si një burrë i fortë, nja 46 a 47 vjeç, që u fshihet kamerave dhe qan për kuajt. Kishte 22 kuaj në malet e Llogarasë. 4 prej tyre ia vranë, disa ia plagosën, por të gjithë nuk i ka më.
U tremben dhe ikën pa lënë gjurmë? Gazetari e pyeti, por ai nuk donte t’ i afrohej të vërtetës, ose edhe nuk e dinte.
Kseno qan për fatin e 22 kuajve, por nuk ka nevojë për mëshirë; ne kemi nevojë të na tregojë, ta pyesim dhe ai të flasë.
Ku shkuan kuajt e pavrarë?
Kjo do të ishte pyetja ku Ksenofoni mund të ndalej, sepse ai di gjithçka për kuajt. Po!, tremben kuajt, ose nuk tremben dhe marrin vendime të përbashkëta.
A flasin me njëri tjetrin kuajt? Po, ‘flasin’ kjo e bën edhe më të dhimbshme ngjarjen që ndodhi në Llogara. Vrasësi, një njeri barbar, as desh t’ia dinte. Por me siguri kuajt e kanë marrë vesh lajmin e kobshëm për katër prej tyre dhe janë strukur diku, ose kanë vrapuar për diku ku rriten kuaj të lirë maleve si në Kukës, për shembull. Kuajt, dihet se flasin e merren vesh mes tyre me anë të veshëve dhe syve, sipas studiuesve të botës së kuajve.
Kali bëhet shumë shpejt për të jetuar i lirë; madje shumë më herët se njeriu. Sapo lind, pas vetëm ndonjë dite kali ngrihet më këmbë dhe vrapon, ndërsa njeriu do vit e ca. Edhe kur vrapon flet me kuaj të tjerë.
A ndiejnë emocione? Ksenofoni, me siguri ka mbresa të jashtëzakonshme nga kuajt e tij në malet e pastra të Llogarasë. Edhe pasi 18 kuajt e mbetur pas plumbave kanë marrë rrugët e nuk dihet ku janë, po japin e marrin emocionalisht me njëri tjetrin. Horseologët, ose Kuajologët, nëse i quajmë kështu, kanë provuar se ata përdorin krifshat e gjata të bishtave apo qafës, si antena për të transmetuar trishtimin që i ka zënë nga frika e plumbave të një të çmenduri.
I zoti i tyre, duke folur para kamerave për kuajt, nuk e dëshmoi këtë detaj; por as u pyet nga gazetari. Do të ishte një detaj që do ta bënte shikuesin e intervistës që të ndihej pak ‘i ngjallur’ pas atij trishtimi. Se kushedi kuajt do të merren vesh e do të gjenden me njëri tjetrin.
-Kuajt mund të kenë shkuar andej nga Karaburuni!, mu bë sikur tha Ksenofoni i përlotur; por shpejt e humbi edhe këtë shpresë. “Jo, jo!, nuk besoj”, tha prapë. Ai ka një provë dëshpëruese, sepse ka bërë rrugë lart e poshtë nga Llogara në Karaburun, por asgjë.
Ai e di se kuajt flasin edhe me gjuhën e patkonjve?.
Kjo pyetje do të ishte interesante nëse do ta bënte gazetari. Sepse kuajt mbathen me patkonj dhe gozhda të gjata që hyjnë në indet e këmbëve ku nuk bëjnë dëm. Por ama këmbët e mbathura krijojnë një muzikë fantastike :“Klip, Klop”, që njihet si gjuha Onomatopike. Po të ishin të gjallë do ta kishin ndierë ardhjen e të zot dhe do të kishin krijuar lëvizje të vogla sa për të lëshuar Onomatopoizmat.
Si mblidheshin në mbrëmje, ku e kishin stallën 22 kuajt?
Askush nuk i kishte parë në stallë. Madje edhe vrasësi i priti harbutërisht tek u varën njëri pas tjetrit për të pirë ujë. Ai vrau duke pirë ujë; askush nuk e bën këtë. Kush e bën është i mallkuar. Ksenofoni qante kur e kujtonte këtë moment.
-Me ata kuaj mbaja fëmijët!- tha Ksenofoni.
Shiko çfarë mrekullie. Një prind si ai ka gjetur mënyrën më të natysrhme për të fituar mjetet e jetesës. 22 kuajt i bindeshin të transportonin mallra, njerëz, turistë; dhe ky merrte pak para. Punonin gjatë ditës dhe natën e kalonin lart, rrëzë malit. Në qetësinë e tyre hyjnore. Fëmijët, edhe ata të Ksenos, kanë lidhje të forta me me kuajt. Sidomos në kohët e tanishme kur prindërit ankohen për ‘tepër tik tok dhe internet’. Që në kohë të lashta kuajt janë përdorur për terapi të fëmijëve.
-A mos vallë kanë shkuar në Gjirin e Bristanit?, e pyeti gazetari.
Ksenon e lidh me Gjirin e Bristanit edhe një gjallesë tjetër e bekuar, bletët. Atje ai ka disa zgjoj bletësh dhe i ushqen, i kujdes, i do. Kuajt sikur e dinin se bletët ishin të Ksenofonit dhe shpesh shkonin andej.
Por “ jo, nuk janë atje, shkova por s’i gjeta”, tha Ksenofoni.
Tani Ksenofoni mund të japë intervista edhe para Komisionit për Kodin Penal ku po hartohen ligjet edhe për kafshët. Por mund të japë intervista në Kuvend ku bëhen ligjet. Kuajt janë një pasuri e madhe dhe besnike e njeriut.
A kaq besnik është kali ndaj njeriut?
Po, shumë besnik. Por edhe zemërimin e ka po aq të fuqishëm sa edhe besnikërinë. Hakmarrjen jo; kuajt nuk dalin të kërkojnë vrasësin që ta vrasin.
Ka një akt të famshëm besnikërie mes kalit dhe heroit të tij, nga historia jonë. Kur u vra Jakup Ferri, një luftëtar i madha në Guci, anëtar i Lidhjes së Prizrenit, e di çfarë bëri kali i tij? U ul në tokë, mundi ta vërë mbi kurriz trupin e gjakosur të të zotit varur në dy anët e shalës, dhe u drejtua për në varreza. Fshatarët e panë dhe dhanë lajmin.
Të ishin shumica e njerëzve si kuajt!.
Komente