Me një histori prej 15 vitesh, edhe këtë verë u mbajt në Korçë Festa e Birrës, por ndryshe nga e kaluara, pati edhe një bojkotim masiv, kryesisht nga personazhe publike, të cilët nuk nguruan që të bënin thirrje fansave të tyre që ta braktisnin. E gjitha ndodhi për shkak të pjesëmarrjes së këngëtarit serb në Korçë, Goran Bregoviç. Sapo lajmi që pjesë e artistëve që do të performonin ishte dhe Bregoviç, i cilësuar si “anti shqiptar” dhe autor i këngës që njihet si himn për masakrat serbe në Kosovë, gjatë 1999, “Kallashnikov”, në rrjetet sociale vërshuan një sërë kritikash për organizatorët, madje pati edhe paralajmërime se do të “bënin gjithçka” që këngëtari të mos performonte, referuar këtu njoftimit të Tifozave KuqeZi. Nisur nga këto paralajmërime, në terren u angazhuan mbi 200 efektivë policie për mbarëvajtjen e koncertit, por ato nuk mjaftuan, pasi incidentet nuk munguan.
Teksa Bregoviç po këndonte, u hodh gazlotjsellës. Ai nuk ndaloi së kënduar për asnjë moment, por pamjet e qytetarëve të cilët u çuan nga karriket me lot në sy, u shndërruan në imazh kryesor të atij koncerti për të paktën disa minuta, pasi më pas gjithçka u kthye në normalitet. Nga videot që solli media, u panë qytetarë vendosin shami në hundë dhe dukë fërkuar sytë për shkak të djegies që shkakton gazi lotsjellës.
Autori i këtij incidenti u identifikua shumë shpejt dhe u vu në pranga. Bëhet fjalë për 21-vjeçarin Redon Leka, me precedent të mëparshëm penal në fushën e krimeve kundër rendit, sigurisë publike dhe pronës, i cili ka hedhur kapsolla lakrimogjene, me qëllim cënimin e rendit dhe sigurisë publike në aktivitet. Gjatë shoqërimit të shtetasit Redon Leka, për në ambientet e Komisariatit, shtetasi tjetër F. K., ka kundërshtuar forcat e policisë, me qëllim pengimin e tyre në kryerjen e detyrës, i cili është proceduar penalisht. Në vendngjarje u gjet e sekuestrua në cilësinë e provës materiale 1 kapsollë detonatore e paplasur.