Frrok Çupi/
Ish kryeministri laburist i Anglisë Tony Blair ka çuditur botën. Dje ka dhënë një intervistë për Esquire Magazine ku ka thënë se do të kthehet në vijën e par të frontit politik në Angli që të “përpiqet të ruajë konservatoren Theresa May (kryeministre) nga shkatërrimi që po i bën vendit” me të ashtuquajturin “Brexit”. Revista “Esquire” botohet në Shtetet e Bashkuara që prej vitit 1933, me disa ndërprerje; rubrikat e saj janë moda e burrave, koktejlet, politika, intervista dhe gratë.
Gazeta britanike “The Mail” që e ribotoi intervistën si dhe agjencia Reuters që e komentoi, me siguri kanë gjetur çudira të mëdha në ato çfarë deklaroi ish- kryeministri në tri legjislatura në Britaninë e Madhe. Dy reporterët e Reuters, Kate Holton dhe Richard Balmforth, që në fillim sjellin një fakt të stranjohur botërisht: Se Tony Blair ka qenë shumë-shumë popullor gjatë 10 vjetëve të para të pushtetit të tij; duke lënë të nënkuptohet se pas kësaj lavdie erdhi ky moment kur Blair “iku” e mendon si Don Kishoti. Popullariteti i Blair nisi të bjerë që gjatë pushtetit të tij, kur mbështeti sulmin ushtarak mbi Irak që e “nxiu keqas”, sipas Reuters- reputacionin e Blair.
Tani, sot e kësaj dite, Tony Blair vjen rrotull botës, ndihet keq të vizitojë Londrën, aq më shumë pas një raporti mijëra faqe të paraqitur në Parlamentin e Anglisë mbi “shkaqet e gënjeshtra të Blair” për sulmin mbi Irak ku u vranë mijëra irakenë dhe qindra ushtarë anglez.
Që nga vera e këtij viti, Tony Blair ishte zhdukur nga “skena” e mediave dhe e publikut. Hera e fundit, u shfaq me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama në Himarë- një qytet i vogël në Jug të vendit ku ndodhet një shtëpi vakancash për zyrtarë të lartë që në periudhën e izolimit komunist. Blair e vizitoi Ramën në momente të pushimeve, si për të dëshmuar se janë miq familjar dhe ndërkohë “aq të relaksuar” pas sukseseve që ka Shqipëria nën këshillat e Blair dhe qeverisjen e Ramës.
Prej tre vjetësh, qeveria e Rilindjes në Shqipëri krenohet para popullit se “ka një këshilltar të madh, zotin Blair”. Mirëpo ekonomia e vendit dhe vetë popullariteti i qeverisë kanë ardhur në rënie, deri në rrënim. Blair u paraqit, së fundmi në Shqipëri, për të dëshmuar se “ia del që të bëjë botën”.
Blair, para pak kohe deklaroi se “jep dorëheqjen nga këshillimet” e qeverive të Lindjes, ku pjesa më e madhe janë qeveri autoritariste. I mbetur pa publik, më në fund gjeti revistën “Esquire” që të deklarojë se do të kthehet në Angli e të rregullojë ishullin “që po mbytet”, sipas tij. Kjo është akoma më donkishoteske se vetë deklarata e tij e vjetër se “do të bëjë qeveritë e Lindjes dhe të Afrikës së Veriut”.
Kthimi për “rregullimin” e Britanisë së Madhe duket se është kryer në një tronditje ose në një turbullirë mendore që çudit edhe më të paditurin e kësaj bote. Një ish-lider, “i humbur” nëpër interesa financiare, nëpër vende të prapambetura të botës, i “dëbuar’ nga vendi i tij, premton se po të kthehet e “bën Britaninë e Madhe”. Për shqiptarët kjo kujton periudhën e pas- Luftës së Dytë, kur armiqtë e arratisur jashtë vendit betoheshin se “do të kthehen e do të bëjnë Shqipërinë”.
Sa shumë vija paralele ka… Edhe Blair tha se nuk pajtohet me asnjë krah politik në Angli, por tha se “e kanë çuar Anglinë në vitet 60”.
Tony Blair u pyet nga gazetari se si mendon që ta bëjë Anglinë:
“Nuk e di- tha Blair- nuk e di nëse ka mbetur ndonjë rol për mua”
Më poshtë ai vazhdoi të pyesë veten:
“A jam unë aq i fortë sa ta bëj këtë? Po, jam. A jam i motivuar për këtë? Po, jam. Ku po dua të shkoj që këtu? Çfarë saktësisht po bëj?… këto janë pyetje të hapura”- tha vetë Tony Blair.
Blair, pasi rregulloi Lindjen, (mes tyre edhe Shqipërinë), po kthehet të rregullojë Britaninë e Madhe. Por as vetë nuk e di se si. Kjo është çështja.