Iliana Iotova ka fituar balotazhin e zgjedhjeve presidenciale në Bullgari, sipas rezultateve pothuajse përfundimtare të publikuara të hënën nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Me këtë fitore, ajo bëhet gruaja e parë e zgjedhur në postin e presidentes së vendit, në një proces zgjedhor që u karakterizua nga pjesëmarrja e ulët e votuesve.
Pas përpunimit të 99.95% të procesverbaleve të qendrave të votimit, kandidatura e Iotovës dhe Valchevit rezultoi fituese me 57.58% të votave, ose rreth 1.1 milion vota. Ndërsa rivalët e tyre, Andrey Gyurov dhe Georgi Kandev, siguruan 39.47% të votave, ose rreth 749,500 vota.
Rreth 2.95% e votuesve zgjodhën alternativën “Nuk mbështes asnjë kandidat”.
Balotazhi u zhvillua pas raundit të parë të zgjedhjeve, më 25 tetor, kur asnjë prej kandidatëve nuk arriti të siguronte shumicën e nevojshme për të fituar garën. Iotova dhe Valchev kryesuan me 34.6% të votave, të ndjekur nga Gyurov dhe Kandev me 32%, duke siguruar kalimin në raundin e dytë, të zhvilluar të dielën.
Ish-nënpresidentja Iliana Iotova mori përkohësisht detyrën e presidentes në janar, pas dorëheqjes së Rumen Radevit, i cili u largua nga posti për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare. Ai e fitoi garën me një kandidaturë që, sipas shumë analistëve politikë, konsiderohet e afërt me Kremlinin.
Radev ka mbështetur Iotovën dhe të dy kanë bërë thirrje për një zgjidhje diplomatike të luftës në Ukrainë.
Komente