Nëse do të vendosësh sot kursimet në një bankë, sidomos shuma të vogla, avantazhi më i madh që ke është se i ke të sigurta. Sa për interesat e depozitave, ato janë aq të ulëta, sa fitimi është i papërfillshëm.
Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në qershor, interesat e depozitave shënuan një tjetër rënie. Për kursimet me afat 1 vjeçar, norma mesatare e kthimit ishte vetëm 0.73% në qershor, nga 0.84% muajin e mëparshëm. Në qershor të një viti më parë, kthimi mesatar ishte 1.45%.
Depozitat një vjeçare kishin qenë alternativa më e preferuar e kursimtarëve deri tani, por vitin e fundit ata kanë filluar mos t’i rinovojnë më kontratat kur u mbaron afati i maturimit. Statistikat tregojnë se depozitat në lekë me afat të individëve janë në trendin rënës prej shumë muajsh.
Maksimumi i interesit vjetor që sot mund të marrësh në një bankë është rreth 3%, por për këtë duhet t’i mbyllësh kursimet për 5 vjet.
Në qershor 2016, depozitat me afat në lekë të individëve ishin 311 miliardë lekë, me një rënie prej 10% me bazë vjetore. Në vlerë absolute në një vit janë tërhequr nga bankat 250 milionë euro.
Ulja e kthimit nga depozitat është arsyeja kryesore e mungesës së interesit të depozituesve për të lënë paratë në banka.
Kjo rënie e fitimeve nga depozitat ka ardhur si rrjedhojë e politikës lehtësuese monetare të ndjekur nga Banka e Shqipërisë, që ka ulur 15 herë normën bazë (që shërben si refencë në treg) nga shtatori 2011, duke e zbritur nga 5.25% në 1.25% aktualisht.
Individët kanë reaguar duke zhvendosur kursimet në depozita më afatgjata (mbi 2 vjeçare), duke iu drejtuar fondeve të investimeve, apo dhe alternativave më pak të kontrolluara si bursat online, apo dhënien e parave me fajde./ Marre nga Monitor/