Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, nga foltorja e Kuvendit të Shqipërisë, deklaroi se megaoperacioni i Elbasanit, është nisur nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve.
“Dua të ju siguroj që ajo që ndodhi që ndodhi dje nisi prej nesh, nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, por nuk do të jetë aksion, as kalendar veprimtarish në drejtim të goditjes së paligjshmërisë në burgje, por investim i përditshëm i të gjitha strukturave tona në zbatim të ligjit dhe forcimit të sigurisë në sistemin e burgjeve”, theksoi Manja në fjalën e tij.
Manja e nisi me një falënderim për strukturat e brendshme të burgjeve që falë tyre në bashkëpunim me Policinë e Shtetit u bë i mundur goditja e këtij grupi kriminal, mes tyre dhe punonjës të trupës së burgjeve.
Ai shtoi se Ministrria e Drejtësisë së bashku me institucionet në varësi do të bëjë të mundur që të gjithë korruptuarit do të pastrohen nga sistemi i burgjeve.
Sipas tij kjo ka nisur me një riorganizim total që përfshin dhe sistemin e karrierës. Sa i përket kësaj të fundit Manja deklaroi se do të bëhet i mundur përafrimi me sistemin e karrierës së Policisë së Shtetit.
Ndër të tjerë në një interpelancë me deputetin Kastriot Piroli, sa i përket punonjësve dhe pagave të tyre në burgje, ai tha se që prej vitit 2018 qeveria ka filluar një reformë në sistemin penitensiar.
Në bazë të këtyre ndryshimeve që prej gushtit 2020 ka nisur rritja e pagës për gratë, ndërsa që prej janarit 2021 ka nisur rritja ne pagës për çdo vit vjetërsie shërbimi dhe duke nisur nga korriku i këtij viti 2022, do të nisë rritja e pagës për natyrën e veçantë të punës.