Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) ka përfunduar procesin e intervistave me kandidatët për në Gjykatën Kushtetuese. Sot janë intervistuar Arta Vorpsi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji, Regleta Panajoti dhe Marsida Xhaferllari, ndërsa dy ditë më parë u intervistua Besnik Muçi.

Gjashtë kandidatët konkurrojnë për katër vende në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa KED do të njoftojë Kuvendin dhe Presidentin për plotësimin e dy vendeve të tjera vakante në Gjykatën Kushtetuese, vakanca të shpallura në datën 28.08.2018 dhe në datën 07.02.2018.

KED ka vendosur që të vijojë menjëherë me shqyrtimin e dokumentacionit të çdo kandidati, për të bërë vlerësimin dhe pikëzimin e tyre. Në përfundim të procesit të shqyrtimit të dokumentacionit të secilit kandidat dhe të vlerësimit e të pikëzimit të tyre, do të thirret mbledhja e KED.

Pas miratimit, raporti i arsyetuar, lista përfundimtare e renditjes së kandidatëve dhe aktet përkatëse të vlerësimit dhe pikëzimit të çdo kandidati dhe për secilin vend vakant do t’i dërgohen Kuvendit dhe Presidentit të Republikës, në mënyrë që të zgjedhin dhe të emërojnë gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Vendimarrja e KED lidhur me fillimin ose jo të procedurave të vlerësimit, pikëzimi dhe renditja e kandidatëve të lejuar për vendin vakant të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, shtyhet për në një mbledhje tjetër, duke u dhënë mundësi kandidatëve të ankohen (nëse ka ankesa) pranë Gjykatës Administrative të Apelit.

Veritas.com.al/