Policia njoftoi se ka identifikuar 3 autorët e plagosjes së investitorit me shtetësi amerikane dhe kombësi libaneze, Faad Mitri, i cili u dhunua pak ditë më parë duke i thënë edhe se “duhet të largohesh nga Shqipëria”. Policia, veç identifikimit, ka ndaluar njërin prej tyre, nga Durrësi, ish-i dënuar nga gjykata. Ndërkohë ka shpallur në kërkim dy bashkëpunëtorë të tjerë nga fshati Sukth.
Policia e Tiranës njoftoi se në bashkëpunim me Prokurorinë ka identifikuar personat dhunuan me sende të forta investitorin libanezo-amerikan, Faad Mitri, në 10 shtator 2016.
Dje, më datë 14.09.2016, u bë arrestimi i 26-vjeçarit Skënder Kraja, banues në Durrës, i dënuar më parë, njoftoi Policia.
Gjatë kontrollit në banesë iu gjet edhe 35 gr. kanabis.
Materialet janë dërguar në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe po punohet për kapjen e shtetasve V. D., 32 vjeç, banues në Sukth, Durrës dhe L. M., 39 vjeç, banues në Sukth, Durrës.
Akuzat e ngritura nga hetimi Policor janë: “Plagosja e lehtë me dashje e kryer në bashkëpunim” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, parashikuar nga Nenet 89-25 dhe 283 të Kodit Penal.