(FOTO: Pandeli Majko, ministër për Emigracionin)/

Ministri i Diasporës në Shqipëri Pandeli Majko është kërcënuar nga Irani. Lajmi është bërë publik në një artikull të “Fox News” të gazetarëve Ben Evansky e Rich Edson në bashkëpunim me “Associated Press”, me titull “Irani planifikon terror në tokën evropiane, ndërsa BE përpiqet të mbrojë regjimin nga shtyrja e sanksioneve të Trump”.

Në artikull shkruhet se ministri shqiptar i Diasporës Pandeli Majko, është shprehur për televizionin amerikan se, zyrtarët amerikanë i kanë thënë se duhet të rrisë sigurinë pas zbulimit të një kërcënimi kundër tij. Teksa tha se strategjia e Iranit në rajon është “e pashembullt”, ai shtoi gjithashtu për “Fox News”: “Nuk kam frikë”.

Duke u ndaluar te “fushata e territorit të Iranit në Europë”, në artikull shkruhet: “Ka edhe shqetësime rreth pranisë së regjimit në Shqipëri, ku disidentët u thanë “Fox News” se ambasada iraniane po punon dhe ka dërguar nëpunës të lartë të inteligjencës.

Sipas artikullit, Shqipëria është e rëndësishme sepse ishte vendi ku më shumë se 2.000 disidentë iranianë që i përkisnin Muxhahidit të Popullit të Iranit (MEK) u zhvendosën nga Iraku në 2016.

Këshilli Kombëtar i Rezistencës në Iran (NCRI) tha se regjimi donte t’i vriste ata në Irak dhe dështimi për ta bërë këtë shënoi një “pengesë të madhe” për regjimin.

Sakaq, një zyrtar i lartë amerikan i antiterrorizmit i konfirmoi “Fox News” se autoritetet shqiptare arrestuan dy iranianë për akuzat e terrorit në fillim të këtij viti.

“Irani ka një histori të gjatë përgjatë 39 viteve të fundit të kryerjes dhe planifikimit të vrasjeve dhe veprimeve terroriste kundër kundërshtarëve të regjimit iranian, duke përfshirë një seri vrasjesh dhe sulmesh në vitet e fundit në vendet evropiane”, tha zyrtari.

Zyrtarët e SHBA-së nuk janë treguar të ndrojtur në deklaratat lidhur me komplotet terroriste.

Sekretari i Shtetit Mike Pompeo, në një fjalim muajin e kaluar, vuri në dukje përpjekjet në Paris, si dëshmi të qëllimeve të regjimit.

“Kjo ju tregon gjithçka që duhet të dini për regjimin: Në të njëjtën kohë po përpiqen të bindin Evropën për të qëndruar në marrëveshjen bërthamore, ata po fshehin fshehurazi sulme terroriste në zemër të Evropës”, tha ai.

Ndërsa Mohammad Mohaddessin, kryetari i Komitetit të Punëve të Jashtme të Këshillit Kombëtar të Rezistencës së Iranit (NCRI), tha në një deklaratë për “Fox News” se nuk ka dyshim se komplotet vijnë nga udhëheqja e regjimit.

“Komplotet e regjimit iranian në Shqipëri dhe në Paris ishin të ngjashme me operacionet që ISIS kreu për të synuar turmat e mëdha dhe për të shkaktuar dëme në një numër të madh njerëzish në të njëjtën kohë”, tha ai në një deklaratë për “Fox News”.

Veritas.com.al/