Pas dorëheqjes së gjyqtarit Erjon Çela për dosjen ‘Gërdeci’, shorti ka caktuar Irena Gjokën për të vijuar çështjen. Gjoka do të vendosë në seancë paraprake nëse ish-ministri Fatmir Mediu do të dalë para gjykatës si pandehur për shpërdorim detyre. Çela u tërhoq nga gjykimi i dytë i çështjes me argumentin se ishte shprehur njëherë për këtë dosje.
Në argumentet e tij në vitin 2021, gjyqtari Çela tha se prej vitit 2012, Mediu nuk ka pasur imunitet për t’u hetuar dhe veprat penale për shpërdorim detyre të dyfishtë për të cilat hetohej, ishin parashkruar. Por vendimi i tij u rrëzua nga Gjykata e Lartë që listoi disa argumente ligjore se pse vepra penale e shpërdorimit të detyrës, në rastin e Fatmir Mediut, edhe pse kishin kaluar 15 vite, nuk është parashkruar.
Kujtojmë se ishte Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë që rrëzoi kërkesën e SPAK-ut për të rihapur çështjen, me argumentin se vepra penale ishte parashkruar. Por Gjykata e Apelit rrëzoi vendimin e shkallës së parë, duke konfirmuar kërkesën e SPAK-ut. Gjykata e Lartë, më 12 dhjetor 2021, la në fuqi vendimin e Apelit, duke rrëzuar rekursin e Mediut, i cili kërkonte lënien në fuqi të vendimit të shkallës së parë. Gjykatat nuk mund të vendosin më në diskutim parashkrimin ose jo të veprës penale për të të cilën akuzohet Fatmir Mediu por mund të shqyrtojnë vetëm faktin penal nëse ekziston ose jo.